Lufta në Gaza, kreu i Mosadit drejt Katarit për bisedimet mbi armëpushimin

Kreu i Mosadit, David Barnea, pritet të udhëtojë në Doha për bisedime të mëtejshme të armëpushimit me zyrtarët e Katarit dhe Egjiptit – të cilët kanë qenë bashkëbiseduesit kryesorë me Hamasin.
Sipas një diplomati të njohur, bisedimet do të zhvillohen ditën e hënë, ndërsa Reuters raportoi më herët se kreu i agjencisë së inteligjencës izraelite pritet të marrë pjesë në këtë takim.
Nëse do të arrihet një marrëveshje, pritet që ajo të ketë disa faza:
Në fazën e parë, Hamasi ka propozuar lirimin e pengjeve izraelite që janë gra – duke përfshirë ushtarë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit – plus të moshuarit, të sëmurët dhe të plagosurit.
Ky numër besohet të jetë rreth 40 nga 100 pengjet e vlerësuara që mbeten gjallë. Propozimi i fundit nga Hamasi kërkon që 700 deri në 1000 të burgosur palestinezë të lirohen, tha për CNN një diplomat i njohur me bisedimet.
Në një fazë të dytë, Hamasi ka bërë të ditur se secila palë duhet të lirojë të gjithë pengjet dhe të burgosurit e mbetur, të cilët do të përfshijnë ushtarë meshkuj IDF dhe më shumë të burgosur palestinezë.
Por pengesat më të vështira mund të jenë kërkesat e Hamasit që, pas shkëmbimit fillestar të pengjeve dhe të burgosurve, Izraeli të pranojë një armëpushim të përhershëm dhe një tërheqje të ushtrisë izraelite nga Gaza.
Qeveria e Izraelit ka thënë vazhdimisht se këto kushte janë të papranueshme dhe se ata ende synojnë të vazhdojnë luftën kundër Hamasit deri në “fitoren e plotë”.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanjahu tha të premten se “Hamasi po vazhdon t’u përmbahet kërkesave jorealiste”, por njoftoi se një ekip izraelit së shpejti do të udhëtojë në Doha për bisedime të mëtejshme.
/rtsh.al/