E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Lufta në Gaza, shtyhet votimi i projekt-rezolutës për armëpushim nga Këshilli i Sigurimit

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, i cili mbetet thellësisht i ndarë për çështjen izraelito-palestineze, ka njoftuar se ka vendosur të shtyjë për më vonë sot votimin për një projekt-rezolutë të re që bën thirrje për ndërprerjen e luftimeve në Rripin e Gazës, në mënyrë që ndihma humanitare të mund të t’i shpërndahet popullatës civile.

Emiratet e Bashkuara Arabe – vendi që ka hartuar këtë tekst – kërkuan që votimi që ishte planifikuar të zhvillohej dje, të hënën në orën 17:00 (me orën e Nju Jorkut) të shtyhej në mënyrë që ata të mund të vazhdonin negociatat komplekse. Sipas burimeve diplomatike, procesi pritet të riplanifikohet, ndoshta brenda ditës.

Më 8 dhjetor, pavarësisht presionit të pashembullt nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, SHBA bllokoi miratimin e një rezolute që bën thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar të zjarrit” në Rripin e Gazës, ku ushtria izraelite vazhdon goditjet e saj si hakmarrje për sulmin e mëparshëm nga krahu i armatosur i Hamasit më 7 tetor.

Javën e kaluar Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi praktikisht të njëjtin tekst me 153 vota pro, 10 kundër dhe 23 abstenime nga gjithsej 193 shtete anëtare. Megjithatë, vendimi i Asamblesë së Përgjithshme nuk konsiderohet ligjërisht i detyrueshëm.

Pas këtij rezultati, vendet arabe njoftuan një përpjekje të re në Këshillin e Sigurimit, por me një përfundim ende të pasigurt.

Projekt-rezoluta e re, e hartuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe e marrë nga AFP, bën thirrje për shpalljen e “një ndërprerjeje urgjente dhe të përhershme të sulmeve  për të lejuar aksesin e papenguar të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës”.

Në veçanti, ajo kërkon që palët ndërluftuese të lehtësojnë hyrjen dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare në të gjithë Rripin e Gazës, nga toka, deti dhe ajri. Megjithatë, dje burime diplomatike theksuan se po hartohej një tekst i ri. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›