E Martë, 3 Nëntor 2026

Lufta në Ukrainë/ Erdogan takohet më 4 shtator me Vladimir Putinin, diskutohet marrëveshja e grurit

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pritet të takohet me homologun e tij Vladimir Putin në Soçi të Rusisë më 4 shtator për të diskutuar eksportet e drithërave të Detit të Zi.

Të dy udhëheqësit do të diskutojnë pasojat e luftës në Ukrainë, si dhe marrëveshjen që lejon eksportin e grurit ukrainas nëpërmjet Detit të Zi.

Marrëveshja e grurit të Detit të Zi, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara në 2022, përfundoi pasi Rusia u tërhoq në korrik.

Që atëherë, Ankaraja ka kërkuar të bindë Moskën që t’i kthehet marrëveshjes.

Ndërkaq, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, SHBA-ja dhe Rumania po punojnë për të rritur eksportet e drithërave ukrainase përmes transportimit nëpër lumin Danub. Kjo po shihet si alternativë për nismën e dështuar të Detit të Zi.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Uashingtoni dhe Bukureshti janë duke studiuar mundësitë që “potencialisht të dyfishohen” eksportet e drithërave që aktualisht kalojnë përmes Danubit, transmeton Al Jazeera. 

“Ne po shikojmë që të mbështesim rrugë alternative: rruga e Danubit është rruga kryesore aktualisht. Kjo rrugë kalon përmes ujërave territoriale të NATO-s. Prandaj, është një rrugë shumë atraktive për ne në mënyrë që të mbajmë një korridor më të sigurt”, tha zyrtari në kushte anonimati.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›