Lufta në Ukrainë, Rama: Të përgatitemi për çdo skenar, shkurtime dramatike të furnizimeve me energji dhe naftë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “duhet të përgatitemi psikologjikisht edhe për situata shkurtimesh dramatike të gjithë furnizimeve me energji apo me naftë”.
Gjatë një konference për shtyp, Kryeministri tha se, “kemi vendosur të ngremë Komitetin Special dhe jemi ulur qysh në ditën e parë të nisjes së kësaj katastrofe për të përgatitur skenarët e mundshëm, nga skenarët e thjeshtë deri tek ata më të vështirë”.
“Duhet të përgatitemi psikologjikisht edhe për situata shkurtimesh dramatike të gjithë furnizimeve me energji apo me naftë. Duhet të përgatitemi edhe për këtë. Edhe kjo mund të vijë, edhe pse ky është skenari më dramatik, sepse zëvendësimi i burimeve që për kaq shumë vite janë siguruar nga Rusia, është jashtëzakonisht i komplikuar”, tha Rama.
Por njëkohësisht, Rama tha se “detyrimi për të bërë çmos që lufta të mos përhapet ushtarakisht është i pashmangshëm”.
“Të gjitha këto shtrëngime që unë uroj dhe do të bëjmë çmos të mos kthehen në sakrifica reale të natyrës ekonomike kanë një qëllim, të mbrojmë jetën, shëndetin dhe më të rëndësishmen, Shqipërinë nga përshkallëzimi i agresionit deri në ushtarak”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “Shqipëria është pjesë e këtyre vendeve që po bëjnë të njëjtën përpjekje dhe qëllimi është të mbrohemi”.
“Qeveria do të bëjë çmos të mbrojë njerëzit tanë. Nuk është absolutisht një film ajo që shikojmë në ekrane orë e çast. Është një luftë reale si e kemi parë në filmat e Luftës së Dytë Botërore apo në vitin famëkeq të përpjekjes shtazarake për pastrim etnik në Kosovë. Por kjo ka brenda misionin e një fuqie ushtarake të paneglizhueshme që mund të përshkallëzojë verbërisht agresionin e vet edhe brenda kufijve të NATO-s”, tha Rama.