Lufta në Ukrainë/ Rritje me 26% e viktimave civile deri në vitin 2025, çfarë thonë shifrat

Viktimat civile në Ukraina të shkaktuara nga bombardimet u rritën me 26% gjatë vitit 2025, sipas një analize të publikuar nga organizata globale e monitorimit të konflikteve ‘Action on Armed Violence’. Sipas raportit, 2,248 civilë u vranë dhe 12,493 u plagosën nga shpërthimet gjatë vitit 2025, ndërsa numri mesatar i viktimave për incident u rrit ndjeshëm. Mesatarisht, 4.8 civilë u vranë ose u plagosën në çdo sulm, 33% më shumë se në vitin 2024, çka sipas organizatës pasqyron një tendencë në rritje për shënjestrimin e zonave urbane dhe infrastrukturës civile. Sulmi më i rëndë u regjistrua më 24 qershor në Dnipro, kur raketa ruse goditën një tren pasagjerësh, apartamente dhe shkolla, duke vrarë 21 persona dhe plagosur 314 të tjerë, përfshirë 38 fëmijë. “Rënia” e parimit të proporcionalitetit. Drejtori ekzekutiv i AOAV, Iain Overton, deklaroi se rasti i Ukrainës është pjesë e një prirjeje më të gjerë në konfliktet moderne, ku respekti për parimin e proporcionalitetit në luftë ka rënë ndjeshëm. Sipas tij, synimi i qëllimshëm i civilëve ose i infrastrukturës civile përtej çdo përfitimi të drejtpërdrejtë ushtarak përbën krim lufte.
Në fund të muajit të kaluar, ushtria e Izraeli deklaroi se e konsideron përgjithësisht të saktë numrin e viktimave të raportuara nga autoritetet e Gazës. Një zyrtar sigurie pranoi se rreth 70,000 palestinezë janë vrarë që nga tetori 2023, ndërsa bilanci i fundit i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës flet për 72,061 të vdekur dhe 171,715 të plagosur. Sipas AOAV, Rusia dhe Izraeli përbënin më shumë se dy të tretat e viktimave civile të regjistruara globalisht në vitin 2025. Izraeli u regjistrua si përgjegjës për 35% të të gjitha vdekjeve dhe lëndimeve, ndërsa Rusia për 32%. Pas tyre renditen konfliktet në Sudani me 5,438 viktima dhe në Mianmari me 3,178. “Në Ukrainë, Mianmar, Gaza dhe Sudan, mesazhi është i njëjtë: kur pandëshkueshmëria bëhet normë, krimet e luftës pushojnë së qeni përjashtime tronditëse dhe fillojnë të duken si metodë lufte”, u shpreh Overton.