Lufta në Ukrainë-Zelensky telefonon Macronin: Kërkoj takim të nivelit të lartë me Putinin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka diskutuar në një bisedë telefonike me presidentin francez Emanuel Macron rezultatet e negociatave të fundit në Stamboll me palën ruse si dhe për mundësinë e një samiti të nivelit të lartë me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin.
“E informova për rezultatin e takimit të tretë me paln ruse në Stamboll. Arritëm të biem dakord për një shkëmbim të ri të të burgosurve. Ne jemi në pritje të një përgjigje ndaj propozimit tonë për të mbajtur një takim në nivelin më të lartë deri në fund të gushtit. Përfaqësuesit nga Evropa duhet të jenë sigurisht të pranishëm në këtë takim”, ka shkruar Zelensky në rrjetin social ‘X’.
Më 23 korrik, Ukraina dhe Rusia mbajtën raundin e tyre të tretë të negociatave në Stamboll, të ndërmjetësuar nga Turqia.
Delegacioni ukrainas u drejtua nga Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes Rustem Umerov, ndërsa delegacioni i Rusisë u drejtua nga ndihmësi i Vladimir Putin, Vladimir Medinsky.
Ukraina dhe Rusia ranë dakord për një shkëmbim të të burgosurve që përfshin mbi 1.200 njerëz, por Rusia refuzoi armëpushimin.
Ukraina propozoi një samit të nivelit të lartë deri në fund të gushtit për të përfshirë Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe atë të SHBA-së, presidentin Donald Trump.
Zelensky e përshkroi këtë si një propozim “në vazhdim ” që mund të zbatohet sapo Putini të bjerë dakord.
Më 24 korrik, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një takim mes Putinit dhe Zelenskyt deri në fund të kësaj vere nuk ka gjasa që të ndodhë.
Sidoqoftë, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan deklaroi se bisedimet e Stambollit arritën një marrëveshje paraprake për të mbajtur një samit të dy vendeve.
/rtsh.al/