Lufta preku dhe letërsinë/ Shkrimtarja serbe: Nuk kemi asnjë kontakt me shkrimtarët në Kosovë

Mes shkrimtarësh nga vende të ndryshme të rajonit dhe Ballkanit Festivali Ndërkombëtar Letrar i të Rinjve mirëpriti edhe gazetaren dhe shkrimtaren e re nga Serbia, Ivona Djuric e cila gjatë diskutimeve në panel jo pak herë vuri theksin te politika e cila ndikon jo pak në letërsi.
“Ne nuk jemi në kontakt me letërsinë kosovare, sepse askush s’na e ka prezantuar, madje as në shkollë. Mendoj se asnjë nga ne të rinjtë serb nuk e njohin”, u shpreh ajo.
Sa i përket marrëdhënies Serbi-Kosovë në fushën e letërsisë Ivona u shpreh se sfera politike ka ndikuar që edhe në letërsi të mos kenë asnjë bashkëpunim.
“Unë jam rritur me këtë situatë, pra nuk e di sesi do të ishte ndryshe , gjithmonë e kam ditur se ka problem mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk kam dashur të jem pjesë”, tha shkrimtarja.
Sa i përket autorëve shqiptar Ivona tha se përgjatë ditëve të qëndrimit të saj në Tiranë si rezidente letrare ka marrë sugjerime të ndryshme të cilat pret me padurim t’i lexojë.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/