Luftë e Ftohtë

Pas përfundimit të luftimeve në terren, tensioni sa vjen dhe rritet në veprimet diplomatike mes Rusisë dhe Perëndimit. Rusia refuzoi dje një projekt-rezolutë në diskutim në selinë e OKB-së, e cila kërkon respektimin e integritetit territorial të Gjeorgjisë dhe tërheqjen e trupave ruse. Në vend të pranimit të kësaj draftit, Kremlini kërkoi mbulimin nga OKB-ja në rolin e forcave paqeruajtëse në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut, duke propozuar madje shkëputjen e këtyre rajoneve nga Gjeorgjia. Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin, kërcënoi me veto ndaj rezolutës së propozuar nga Franca, si presidente e radhës së Bashkimit Evropian. Diplomati moskovit theksoi se teksti i shkurtër i përgatitur nga Parisi, nuk pasqyron sipas tij 6 pikat e planit të paqes, të ndërmjetësuar po nga vetë presidenti francez, Nikolas Sarkozi. Në veçanti, Rusia konsideron thelbësore pikën e 6-të të këtij dokumenti të përbashkët, e cila kërkon hapjen e negociatave ndërkombëtare mbi statusin e ardhshëm të dy rajoneve separatiste gjeorgjiane që mbështeten nga Moska. Ajo insiston në domosdoshmërinë, siç sanksionohet në marrëveshje, për të ruajtur pozicionin e saj ushtarak në pjesën gjeorgjiane të kufirit me Osetinë e Jugut. “Ata mund ta hedhin në votë nëse duan, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Por është veç humbje kohe”, tha Çurkin. Kremlini nga ana e tij bëri të ditur dje se tërheqja e ushtarëve rusë do të përfundojë brenda 22 gushtit, pra nesër, por duke theksuar faktin se do të vazhdojë të ruajë prezencën e saj në Osetinë e Jugut. Ndërkohë Këshilli i Federatës ruse, dhoma e lartë e Dumës, është gati të ngrejë çështjen e pavarësisë së Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Lajmin e dha vetë kreu i organit legjislativ, Sergei Mironov, i cituar nga agjencia e lajmeve, Interfax. Sipas tij, Senati është gati të njohë statusin e pavarur të dy provincave, nëse popujt e tyre do ta duan një gjë të tillë dhe nëse edhe presidenti rus do të marrë një vendim lidhur me këtë çështje. Çështja do të diskutohet në seancën e radhës të caktuar në 25 gusht dhe nuk përjashtohet mundësia që pikërisht atë ditë të miratohet një qëndrim në favor të dy rajoneve filo ruse. Pikërisht dje, zëvendëskryetari i parlamentit abkhaz njoftoi se Sukhumi (kryeqyteti i Abkhazisë) do t’i kërkojë zyrtarisht njohjen Rusisë. Një veprim ky që padyshim nuk kontribuon aspak në zbutjen e tensionit në Kaukaz. Qeveria e Tbilisit ka deklaruar disa herë se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga asnjë kilometër i territorit të saj dhe thuajse të gjitha vendet e bllokut perëndimor me në krye Shtetet e bashkuara të Amerikës janë renditur përkrah saj, për ruajtjen e integritetit territorial të Gjeorgjisë. Në fakt, sa vjen dhe më shumë shtohet klima e luftës së ftohtë, veçanërisht pas lajmit për arrestimin e një zyrtari të lartë të ushtrisë, që akuzohet nga Shërbimi Federal i Sigurisë ruse (FSB), për spiunazh në favor të Gjeorgjisë. Lajmi u konfirmua nga një funksionar i FSB-së për agjencinë e lajmeve Interfax. Mikhail Khalidze, me origjinë gjeorgjiane, përfundoi dje në pranga me akuzën se është rekrutuar në Gjeorgji në fund të vitit të kaluar me qëllim spiunazhi në favor të Tbilisit. “I akuzuari mblidhte informacione të rezervuara mbi forcat e armatosura ruse, kapacitetin e tyre të luftimit dhe të dhënat personale të kolegëve, sipas instruksioneve të shërbimeve inteligjente gjeorgjiane”, tha zyrtari në fjalë. Sipas tij, ekzistojnë prova të pakundërshtueshme për aktivitetin e tij të spiunazhit, të cilat janë mbledhur gjatë hetimit.