Nuk ikim që këtu

UNMIK-u do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë, veçanërisht në zonat me shumicë serbe. Ishte kjo deklarata e kreut aktual të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zanier gjatë një konference për shtyp të mbajtur dje në Prishtinë. “UNMIK-u do të zvogëlojë prezencën e tij, ndërsa EULEX do të zgjerohet në terren. Por ne do të vazhdojmë të jemi prezent në Pejë, Graçanicë, Shtërpc dhe natyrisht në Mitrovicë”-tha ai. Ndërkohë Zanier hodhi poshtë raportimet e mediave lidhur me deklaratat e tij që kanë të bëjnë me propozimin për krijimin e një police te veçantë për serbet në Kosovë. ”Kurrë nuk kam propozuar diçka të tillë, madje krijimi i një policie të tillë nuk do të ishte i dobishëm”, tha shefi i UNMIK-ut para gazetarëve. Reagimi i tij vjen disa javë pas lajmit të raportuar nga mediat kosovare, por Zannieri tha se ai s’mund të reagonte më herët pasi ndodhej me pushime. Gjatë kësaj kohe, Zanier tha se kishte lexuar për çështjet të cilat nuk reflektonin me deklaratat dhe qëndrimet e tij politike. “Kam dëgjuar dhe lexuar se kishte ide për krijimin e komandës së ndarë për policët serb, më duhet të sqaroj se unë kurrë nuk e kam përmendur një gjë të tillë me askënd”, tha ai. Zanier sqaroi se çështja e policëve serbë të Policisë së Kosovës, ishte ngritur gjatë një takimi me ministrin serb për Kosovë, Goran Bogdanoviç i cili i kishte kërkuar shefit të UNMIK-ut që policët serb të jenë nën komandën e UNMIK-ut. Në këtë kërkesë, Zannieri tha se i kishte thënë ministrit Bogdanoviç se tranzicioni ka përfunduar dhe se policët serb duhet të jenë pjesë e komandës unike të Policisë së Kosovës. Zannier gjithashtu mohoi shkrimet e mediave se ai ka propozuar krijimin e një zone të veçantë doganore në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë kreu i UNMIK-ut theksoi nevojën për të garantuar prezencën e autoriteteve ligjore në veri të Kosovës, pasi pranoi se ajo zonë ka dalë jashtë kontrollit. Por ai pranoi gjithashtu se për momentin nuk ka ndonjë afat se kur do të kthehet rendi në pikat doganore në veri dhe nuk përmendi ndonjë masë që mund të ndërmerret atje. Zanier tha në fund të konferencës se marrëdhëniet mes UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës janë të mira, ashtu siç janë dhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin Hashim Thaçi. Madje ai u shpreh se nuk mund të pasqyronte ndonjë mosmarrëveshje mes administratës së UNMIK-ut në Kosovë dhe qeverisë.