E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Luftime në Ukrainë, Zelensky zotohet të forcojë mbrojtjen e Bahmutit

Rusia nisi një valë të re sulmesh në Bahmut gjatë 24 orëve të fundit, njoftoi ushtria ukrainase këtë të martë(7 mars), ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky u zotua ta forcojë mbrojtjen e qytetit të rrethuar në rajonin lindor të Donjeckut, duke thënë se ai dhe komandantët e tij ushtarakë kanë ranë dakord se tërheqja nuk është opsion.

“Gjatë ditës së fundit, ushtarët ukrainas zmbrapsën më shumë se 140 sulme të armikut”, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në raportin e tij të përditshëm.

Ky shtab tha se pavarësisht humbjeve të konsiderueshme, Rusia vazhdon të përpiqet të sulmojë Bahmutin dhe rrethinat e tij. Ekspertët perëndimorë thanë se situata në Bahmut vazhdon të jetë kritike dhe se mbrojtësit ukrainas po përballen “me presion në rritje”.

Inteligjenca britanike, në raportimin e rregullt për luftën në Ukrainë, tha se forcat ruse dhe mercenarët e Wagner-it kanë bërë përparime në periferinë veri të qytetit dhe tani Bahmuti po sulmohet nga tri anë.

Më 3 mars, Yevgeny Prigozhin, themelues i grupit të mercenarëve rusë, Wagner, përmes një videoje pretendoi se Bahmuti që Moska ka tentuar të marrë nën kontroll gjatë shtatë muajve të fundit është pothuajse i rrethuar dhe vetëm një rrugë për largim është ende e hapur.

Sipas ekspertëve perëndimorë Bahmuti ka më pak rëndësi strategjike për Rusinë sesa rëndësi simbolike për luftën e nisur. Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se “operacioni special ushtarak” që ata filluan në Ukrainë vazhdon, ndërsa shtoi se SHBA nuk dëshiron që kjo luftë të përfundojë. “Uashingtoni nuk dëshiron që kjo luftë të përfundojë. Uashingtoni do të bëj çmos për të vazhduar këtë luftë”, tha ai. 

/rtsh/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›