E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Luftimet Rusi-Ukrainë, Kievi lëviz mjetet e blinduara drejt vijës së parë në Bakhmut

Automjete të blinduara ukrainase janë parë duke lëvizur drejt qytetit të Bakhmut në vijën e parë. Qyteti që gjendet në rajonin e Donetskut, ka qenë në qendër të një prej betejave më të përgjakshme dhe më të vështira të pushtimit rus.

Beteja po zhvillohet aktualisht në zonën perëndimore të qytetit, me forcat ruse që kanë avancuar nga lindja.

Ukraina thotë se trupat ruse kanë bërë disa përparime, por këmbëngul se situata është nën kontroll. Ndërkohë, Shefi i grupit rus “Ëagner”, Yevgeny Prigozhin, shprehu shqetësim për kundërofensivën e Ukrainës dhe për trajnimin e ushtarëve ukrainas në Gjermani.

“Sot, ne po i vrasim ata që janë trajnuar në Ukrainë, por ata që do të vijnë nga Gjermania do të jenë teknologjikisht të arsimuar”- tha Prigozhini në një audio-incizim të publikuar në rrjetin “Telegram”, duke iu referuar ukrainasve që do të trajnohen në Gjermani për përdorimin e tankeve “Abrams” të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara.

“Perëndimi ka dhuruar mbi 230 tanke e 1.500 automjete të tjera të blinduara. Kjo, gjithashtu, është e mjaftueshme për të ofruar opozitë serioze”- shtoi ai, raporton agjencia “Reuters”.

Ai parashikoi se Ukraina do të sulmojë, kur toka të jetë tharë pas reshjeve të pranverës. “Ata do të sulmojnë… do të vijnë dhe do të mundohen që të na copëtojnë dhe ne duhet të rezistojmë”- tha udhëheqësi i grupit famëkeq.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në një video-adresim se vendi i tij është duke përgatitur në mënyrë aktive njësite të reja që ende nuk janë shfaqur në vijën e frontit.

Ai dhe zyrtarë të tjerë kanë premtuar se forcat ukrainase do të kryejnë një kundërofensivë ndaj ushtrisë armike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›