E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftimet kundër Assad në Siri Të paktën 10 shqiptarë të vrarë

Të paktën 10 shqiptarë besohet se kanë humbur jetën deri tani në luftën kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad në Siri.

Mediat kosovare bëjnë të ditur se 22-vjeçari, Muhamet Koprova është viktima e fundit në Siri. I riu nga Mitrovica por me banim në Suedi është vrarë javën e kaluar duke luftuar në krah të forcave rebele.

“Koha Ditore” duke iu referuar burimeve nga Inteligjenca thekson se tetë shqiptarë të vrarë janë nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Shqipëria, ndërsa dy të tjerë janë shtetas sirianë me prejardhje nga Kosova.

“Deri tani thuhet se janë vrarë gjithsej 10 shqiptarë. I pari është vrarë kosovari Naman Demolli, pastaj Musë Ahmeti, shqiptar tjetër nga Terrnoci i Kosovës, Ebu Omer-El Albani nga Shqipëria dhe i fundit Muhamet Koprova. Ndërsa dy shqiptarë të tjerë janë me shtetësi siriane - Mynyr Arnauti dhe Behlul Arnauti”.

Sipas të njëjtit burim, katër shqiptarë të tjerë nga Shqipëria janë vrarë, por ende nuk ka konfirmim zyrtar për identitetin e tyre- shkruan “Koha Ditore”

Besohet që numri i përgjithshëm i shqiptarëve të përfshirë në luftën siriane të jetë 140 dhe ata janë të ndara në dy grupe, në Alepo.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›