E Hënë, 2 Nëntor 2026

Luhatjet e temperaturave rrisin virozat, mbi 100 persona në ditë marrin ndihmë në spitalin e Kukësit

Kushtet atmosferike të paqëndrueshme gjatë këtij sezoni kanë ndikuar ndjeshëm në shtimin e rasteve me viroza. Mjeku Emin Ferati deklaron se luhatjet e temperaturave po shkaktojnë një sërë simptomash tek pacientët.

Sipas mjekut, në spitalin rajonal marrin shërbim mbi 100 pacientë brenda 24 orëve, përfshirë të rritur dhe fëmijë.

“Kemi pasur raste të luhatjes së temperaturës edhe brenda ditës, dhe kjo është reflektuar edhe në viroza të ndryshme, që janë shfaqur në popullatë në formën e rrufës apo infeksione të rrugëve të sipërme respiratorë“, tha mjeku.

Ai thekson se më të rrezikuarit janë moshat e treta dhe fëmijët, duke u bërë thirrje të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në mënyrën e veshjes dhe përdorimin e medikamenteve.

“Ata që shfaqen me simptoma të lehta të virozave mund të mjekohen edhe në shtëpi duke pirë paracetamol dhe çaj. Të tregojnë kujdes edhe me veshjen si pasojë e ndryshimeve të temperaturave brenda ditës”, apelon mjeku.

Ky fluks pacientësh pritet që të ulet me përmirësimin e motit dhe largimin e virozave.

Gazetar: D. Shehu

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›