Trump vendos tarifën 50% për mallrat, BE: Të gatshëm të përgjigjemi

Frika për një luftë tregtare midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian po ringjallet pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave, prej 50% duke filluar nga fillimi i muajit të ardhshëm.
Sa duket, edhe pse Evropa ende preferon rrugën e negociatave, BE-ja ka gati një plan hakmarrjeje prej gati 108 miliardë dollarësh “që mbulon një gamë të gjerë produktesh industriale dhe bujqësore” në rast se bisedimet me SHBA-në dështojnë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vuri në dukje në deklaratat e fundit se “por nëse negociatat dështojnë, ne gjithashtu do të veprojmë. Ne do të mbrojmë interesat tona”, ka thënë ajo.
“Tregtia BE-SHBA është e pakrahasueshme dhe duhet të udhëhiqet nga respekti i ndërsjellë, jo nga kërcënimet”, tha shefi i tregtisë së BE-së, Maros Sefcovic, pas një telefonate me Përfaqësuesin e Tregtisë të SHBA-së, Jamieson Greer, dhe Sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick.
Zëvendësministri polak i Ekonomisë, Michal Baranowski, tha se tarifat dukeshin si një dredhi negociuese, ndërsa zëvendëskryeministri holandez, Dick Soff, tha se tarifat “mund të luhaten”.
Ministri francez i Tregtisë, Laurent Saint-Martin, tha se kërcënimet e fundit nuk bënë asgjë për të ndihmuar bisedimet tregtare. Ai theksoi se “de-eskalimi” ishte një nga qëllimet kryesore të BE-së, por paralajmëroi: “Ne jemi të gatshëm të përgjigjemi. Nuk kemi pse të ndjekim këtë rrugë. Negociatat janë mënyra më e mirë dhe e vetmja e qëndrueshme për të ecur përpara”, tha kryeministri irlandez Michael Martin.
Muajin e kaluar, Trump njoftoi tarifa prej 20% për shumicën e produkteve të BE-së, por i kishte përgjysmuar ato në 10% deri më 8 korrik për të lënë kohë për më shumë negociata.
Megjithatë, me deklarata të reja, një ditë më parë, presidenti amerikan dërgoi mesazhin se “nuk po kërkon një marrëveshje me Bashkimin Evropian për këtë çështje dhe do të vazhdojë me tarifat prej 50% nga 1 qershori “Nuk jemi trajtuar siç duhet”, tha Trump. “Ata janë bashkuar për të na shfrytëzuar”, shtoi ai.
BE-ja është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Uashingtonit, duke dërguar mallra me vlerë më shumë se 600 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe duke blerë mallra me vlerë 370 miliardë dollarë, sipas të dhënave të qeverisë amerikane.
/rtsh.al/