Luis Hemilton: Do të sulmoj Masa, i fiksuar te titulli
Kur mungojnë vetëm pak ditë nga Çmimi i Madh i Brazilit, që do të vendosë kampionin në Formula 1, Luis Hemilton e ka të qartë strategjinë që do të përdorë. "Paraqitja ime në Interlagos do të jetë e njëjtë me atë të garave të tjera. Natyrisht, objektivi është i ndryshëm, nuk e kam të domosdoshme që të fitoj. Megjithatë, kjo nuk do të më pengojë që të synoj të jem më i shpejti edhe në këtë fundjavë". Ndërmjet britanikut dhe titullit ka disa pengesa: besueshmëria e motorit MekLaren, shmangia e penalizimeve gjatë provave dhe në garë, kalimi i padëmtuar në kthesën e parë pas startit dhe të papriturat e motit. Megjithatë, ai është optimist: ka 7 pikë avantazh ndaj Masës, ishte protagonist i një sezoni shumë të mirë dhe pista e Brazilit i pëlqen. Pavarësisht se këtu, gjatë vitit të kaluar, humbi luftën për titull me Raikonen. Në anën tjetër qëndron Felipe Masa. Braziliani i Ferrarit dëshiron të festojë përpara publikut të tij dhe është i gatshëm të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme. "Zgjohem në mëngjes duke menduar për titullin kampion, më është bërë fiksim, tha Masa. Logjikisht mendoj se Ferrari mund të fitojë dy vendet e para. Më pas, duhet të presim se çfarë do të bëjë MekLareni. Edhe po nuk e fitova titullin, unë do të festoj".