E Shtunë, 31 Tetor 2026

Media Sport fiton trofeun Frederik Fico"

Në 3-vjetorin e ndarjes nga jeta të komentatorit të mirënjohur sportiv, Frederik Fico, dje në kryeqytet është organizuar trofeu në nder të tij. Në aktivitetin që zgjati afro dy orë, konkurruan "Media Sport", e përbërë nga gazetarët sportiv të shtypit të shkruar dhe atij elektronik, skuadra e gazetës "Sporti Shqiptar", TVSH dhe Vllaznia, me gazetarët nga qyteti i Shkodrës. Pas hedhjes së shortit, ndeshjet e para u luajtën ndërmjet "Media Sport" dhe TVSH, ndërsa në çiftin tjetër përballë u vendosën "Sporti Shqiptar" dhe Vllaznia. Sfida ndërmjet TVSH-së dhe gazetarëve të përzier sportivë, të drejtuar nga trajneri Redi Jupi, përfundoi me fitoren 3-2 të këtyre të fundit. Ndërsa në takimin tjetër, "Sporti Shqiptar" kaloi me shumë vështirësi Vllazninë, me rezultatin përfundimtar 2-1. Fitueset e ndeshjeve të para u takuan në finale, në 40 minuta shumë të luftuara, që në fund u mbyllën në barazimin 2-2. Për të shpallur fituesen e trofeut "Frederik Fico" ishin të nevojshme gjuajtjet e penalltive, ku në fund të katër ekzekutimeve "Media Sport" realizoi dy gola, ndërsa kundërshtarët e tyre asnjë. Finalja u mbyll me rezultatin e përgjithshëm 4-2, ndërkohë që në prezencë të familjarëve të komentatorit të njohur dhe sponsorit të këtij aktivitetit, ish-presidentit të Bylisit, Xhemil Hoxha, u bë edhe dorëzimi i trofeut simbolik. Slogani i përdorur në turneun e djeshëm ishte "Zëri mungon, Fico jeton", ndërkohë që Frederik Fico është nderuar edhe me "Mikrofonin e Artë" (pas vdekjes).



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›