E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Luiza Gega rrëfen emocionet e Hengelos

9’15”48! Ky është rezultati fantastik që Luiza Gega ka dhënë të hënën në Hengelo të Holandës, teksa ka thyer rekordin kombëtar në 3000 metra me pengesa, të cilin e mbante po vetë. Jo vetëm rekord kombëtar, por dhe rezultati më i mirë i saj në të gjitha pjesëmarrjet në 3000 metra me pengesa. Ndaj dhe ndihet e kënaqur, teksa ka dhënë impresionet e saj menjëherë pas garës për Radio Televizionin Shqiptar.

“Jam shumë e lumtur. Na fakt sezonin e kam nisur shumë mirë, që në garën e Mançesterit ku zura vendin e parë dhe në këtë garë të dytë ku zura vendin e dytë dhe rekord të ri kombëtar. Në fakt e kërkoja këtë rekord sepse stërvitja ka shkuar shumë mirë. U mundova që në fillim që të isha me grupin, kishte konkurencë shumë të fortë. Në fund të garës u ndjeva me të vërtetë e freskët”.

“U mundova që të mbaja nën kontroll vajzën që ishte pas meje, duke bërë një finish shumë të mirë. Edhe trajneri ishte i kënaqur, ishte fat që të kisha trajnerin pranë dhe të shihte këtë rekord. Kjo ishte arsyeja që ishte në Hengelo sepse unë isha për rekord”.

E para në Mançester me 9’20”79 dhe e dyta në Hengelo me 9’15”48, ndërsa forma e saj është më shumë se sa optimale në prag të aktiviteteve më të mëdha ndërkombëtare. Gega i ka tashmë objektivat e qarta.

“Tani na presin gara të rëndësishme, është një vit shumë i rëndësishëm. Do të kemi Lojërat Mesdhetare, Kampionatin Botëror dhe Europian ku tashmë kamë dhe synime të qarta me formën që po kaloj. Në Mesdhetaret sigurisht që dua të mbroj titullin, në Botëror të jem në pesëshe dhe ne Europian të pretendoj medalje. Këto janë objektiva që do të punoj fortë dhe uroj shumë që ti realizoj”

Në prag janë Kampionati Ballkanik në Rumani më 17-18 qershor, por dhe Lojërat Mesdhetare në Oran. Pa harruar Kampionatin Botëror në Oregon, apo dhe Europianin në Mynih. Luiza Gega menjëherë ka nisur përgatitjet në Dardhë, sepse forma e saj premton medalje në arenën ndërkombëtare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›