E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lukashenka: Bakiev është në Bjellorusi

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenka tha sot se presidenti i përmbysur i Kirgizisë, Kurmanbek Bakiev dhe familja e tij ndodhen në kryeqytetin bjellorus, Minsk.
Lukashenka, i cili e bëri këtë njoftim në fjalimin vjetor televiziv drejtuar parlamentit, tha se Bakiev po i nënshtrohet disa testeve mjekësore në Minsk. Detaje tjera nuk u bënë të ditura. Bakiev fluturoi në Kazakistan javën e kaluar pas protestave të 7 prillit, ku u vranë mbi 80 vetë. Sot në Kirgizi, forcat e sigurisë u konfrontuan me turmën në lagjet e kryeqytetit Bushkek, ku dje nga trazirat u vranë së paktën tre persona. Ndërkohë, presidenti rus Dimitri Medvedev i bëri thirrje qeverisë së përkohshme të Kirgizisë të mbajë zgjedhje për ta legjitimuar autoritetin e vet nëse do të dëshironte bashkëpunim të plotë me Rusinë.
Medvedev tha se është e nevojshme që të "rivendoset shteti" në Kirgizi dhe paralajmëroi se "anarkia" nuk është në interes të Kirgizisë apo fqinjve të saj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›