Lukashenko president per here te katert
Atë që ishte parashikuar prej kohësh e konfirmuan edhe rezultatet e para të zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi. Deri tani Alexander Lukashenko do të drejtojë sërish vendin edhe për katër vjet të tjera. Sipas exit-polleve të para, Presidenti autoritar i cilësuar si diktatori i fundit i Europës nga George Bush, ka arritur të marrë rreth 75 për qind të preferencave. Një shkëputje shumë e madhe nga kandidati i dytë, Andrei Sannikov, që mendohet se nuk ka marrë më shumë se 5 për qind të votave. I treti është renditur poeti i famshëm vendas, Vladimir Nekliaev, me 4,3%.
Rreth 7 milionë votues të ish-republikës sovjetike u thirrën për të votuar dje nga ora 7:00 e mëngjesit deri në 7:00 të mbrëmjes, për të zgjedhur mes dhjetë kandidatëve, një shifër rekord kjo, në fund të një fushate të pazakontë për standardet bjelloruse. Për herë të parë nga viti 1994 kandidatët, të gjithë përveç Presidentit, morën pjesë në një debat të hapur televiziv që qytetarët e kanë cilësuar si shou më i mirë televiziv i televizionit shtetëror, që zakonisht glorifikon virtytet e Lukashenko-s. Sondazhet e fundit kishin nxjerrë fitues me 75 për qind të preferencave që në raundin e parë të zgjedhjeve Alexander Lukashenkon. Ndërkaq opozita i ka cilësuar votimet si jodemokratike dhe ka zhvilluar një protestë në qendër të Miskut, një iniciativë që Prokuroria e Përgjithshme e pati cilësuar si të paligjshme. Kundërshtarët e Lukashenkos ankohen edhe këtë herë për atmosferë manipulimesh dhe frikësimi para zgjedhjeve. BE-ja i ka bërë thirrje sërish qeverisë në Minsk të mbajë zgjedhje të ndershme. Opozita bjelloruse kritikon në radhë të parë faktin që Lukashenko dominon dhe kontrollon mediat e vendit. Ashtu si në zgjedhjet e 2006-s, të gjithë kandidatëve iu dhanë 30 minuta kohë prezantimi në radio dhe televizion. Atëherë nga deklaratat e kandidatëve opozitarë në televizionin shtetëror ishin prerë të gjitha pasazhet kritike. Këtë herë ato u transmetuan drejtpërdrejt dhe të pacensuruara, por sipas kundërshtarëve Presidenti ka ngritur një sistem elektoral që nuk mund t’u lërë asnjë mundësi për të fituar rivalëve të tij. Lukashenko mendohet se ka akumuluar një përvojë të mjaftueshme për të qenë një President i vërtetë. I zgjedhur për herë të parë në vitin 1994 me zgjedhjet e para dhe të vetme të njohura nga Perëndimi si të pavarura dhe demokratike në Bjellorusi, Lukashenko u rizgjodh në vitin 2001 dhe 2006 me votime të pandershme të shoqëruara me një represion të disidentëve. Kjo ishte hera e parë që garuan kaq shumë kandidatë. Pjesëmarrja në votime, sipas të dhënave të para të disponueshme, mendohet të ketë qenë më shumë se 65 për qind por edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka cilësuar ato si të rregullta, Minsku është duke u përgatitur për protesta. Është parashikuar që opozita të organizojë një miting në sheshin qendror të kryeqytetit, ku mendohet të marrin pjesë rreth 50 mijë persona. Sipas policisë, kjo shifër nuk do të jetë më e madhe se dy-tremijë. Janë rreth 930 vëzhguesit ndërkombëtarë dhe rreth 18 mijë ata lokalë të akredituar për të monitoruar zgjedhjet. Ish-republika sovjetike nuk ka zhvilluar kurrë një proces zgjedhor që të konsiderohet i rregullt nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Gjithsesi, këto zgjedhje deri më tani kanë qenë më të lira se ato të zhvilluara në të kaluarën, deklarojnë korrespondentët e mediave ndërkombëtare.