Lukovë, biznesi përballet me vështirësi

Në bashkinë e Himarës në fshatin Lukovë, ata që janë përballur me vështirësi të mëdha ekonomike për shkak të pandemisë, janë administratorët e bizneseve. Edhe në Lukovë, gjatë periudhës së pandemisë dhe muajve të verës kur turistët nuk ishin të shtumtë si një vit më parë, pati rënie të ndjeshme të fuqisë blerëse, si pasojë edhe në të ardhurat e bizneseve. Rënie e cila vazhdon akoma. Sipas pronarëve të tyre, viti 2020 ishte tepër i vështirë ndërkaq ata shpresojnë dhe duan të jenë optimistë për 2021.
“2020 ishte vit i vështirë. E përballuam situatën mes shumë vështirësive të mëdha. Edhe gjatë verës, turistët ishin të paktë. Megjithatë duam të jemi optimistë. Në Himarë ende ka pak lëvizje “, shprehet një administrator.
“Nëpërmjet bizneseve mbajmë familjet tona. Situatë e vështirë shumë por po mundohemi t’ia dalim duke shpresuar për ditë më të mira. 2020-n e mbyllëm me të ardhura të pakta dhe kjo sigurisht ndikoi shumë”, shprehet një tjetër administrator.
Në bashkinë e Himarës gjatë vitit 2020, pati mbyllje të një numri të konsiderueshëm biznesesh për shkak të pandemisë, kryesisht në zonat rurale. Ndërkaq nuk munguan edhe ata që morën guximin për të hapur një biznes të vogël. Edhe në këtë zonë, bashkia u ka ardhur në ndihmë këtyre të fundit për të dalë nga situata e vështirë.