E Diel, 1 Nëntor 2026

Luledielli aromatik-mjekësor, kultura që po fiton terren në Bashkinë Maliq

Luledielli aromatik-mjekësor po shihet me interes në bashkinë Maliq si një alternativë e re për diversifikimin e kulturave bujqësore dhe rritjen e të ardhurave për fermerët. Kjo bimë kultivohet në sektorin e bimëve aromatike dhe mjekësore, ndërsa prodhimi i saj kërkohet edhe për treg.

“Po shohim kohët e fundit një shtim interesi për kultivimin e luleediellit aromatiko mjekësor. Kjo për arsye se kërkon më pak sipërfaqe për një fitim më të madh për këtë njësi sipërfaqe në krahasim me kulturat tradicionale që përdoren në këtë fushë. E kultivojmë në njësinë administrative Libonik, konkretisht në fshatin Vloçisht, në njësinë administrative Pirk”, deklaroi Aurel Zenunllari, përgjegjës i sektorit të Bujqësisë dhe Ushqimit, bashkia Maliq.

Bima është e ngjashme me misrin për sa i përket mënyrës së kultivimit dhe ciklit të saj jetësor. Ajo është një kulturë njëvjeçare, mbillet në pranverë dhe jep prodhim gjatë muajve të verës. Veçantia e lulediellit aromatik-mjekësor është se mund të vilet disa herë gjatë sezonit, duke u ofruar fermerëve mundësi për një rendiment më të lartë dhe shfrytëzim më efikas të tokës.

“Ka avantazhet e saj ekonomike për arsye se ne i vjelim petalin kësaj lule dhe vilet disa herë deri në mbylljen e ciklit të bimës. Funksionon me kontratat që lidhen me grumbulluesit të cilët janë po nga zona, të cilët janë jo vetëm grumbullues, por edhe eksportues. Varetetet e ndryshme kanë çmime të ndryshme. Unë mendoj që është diku mbi 4.000 mijë lekë kogrami i thatë i kësaj bime”, shtoi Zenunllari.

Specialistët e bujqësisë e konsiderojnë këtë kulturë si një mundësi të mirë për krijimin e vlerës së shtuar në fermë, ndërsa interesi në rritje në bashkinë Maliq tregon se fermerët po orientohen drejt kulturave alternative me potencial ekonomik.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›