E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha: Do rikthehemi fuqishëm në mazhorancë

07-07-2013 / Gazeta 55

Kryebashkiaku i kryeqytetit starton në Elbasan fushatën për kryetar të PD: “Bashkë, më të fortë për sfidën e ardhshme elektorale”


Nga Elbasani, Lulzim Basha e vuri theksin tek përgjegjësitë e gjithsecilit për humbjen e 23 qershorit, që prodhoi një rezultat që nuk përputhej me pritshmëritë e demokratëve për sukses, teksa bëri thirrje për mobilizim të të gjithë strukturave për tu rikthyer fuqishëm në mazhorancë sa më parë


-- Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike dhe njëherësh kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka startuar fushatën e tij nga qarku i Elbasanit. Ai kërkoi kontributin e të gjithë demokratëve për një rikthim të fuqishëm të Partisë Demokratike dhe për të ndërtuar një mazhorancë reale për të nesërmen. “E di që jeni lodhur shumë në këtë fushatë ndaj dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për mundin dhe punën e të gjithëve ju që keni kontribuar në Partinë Demokratike. Me tunelin që ndërtoi qeveria e Partisë Demokratike, Elbasani po bëhet lagje e Tiranës. Tani ne vijmë nga Tirana në Elbasan për 30 minuta, ky ishte një premtim që ne e bëmë realitet. Si thamë në 2009-n? U bë rruga u ça Kërraba. E mbani mend, e thamë në mitingun e fundit të 2009. Kush e ka radhën? Dhe sheshi bërtiti: - Kërraba! Ja ku është, e mbaruam dhe po na shërben të gjithëve. Jemi të kënaqur, por duhet të jemi edhe krenarë, sepse është pjesë e vendimmarrjes tonë, pjesë e përkushtimit tonë që e kthyem në realitet për elbasanllinjtë dhe gjithë shqiptarët. E bëmë realitet këtë premtim. Bëmë realitet shumë e shumë premtime të tjera, por me 23 qershor nuk korrëm rezultatin që dëshironim, që shpresonim, që besonim dhe që të gjithë ne ishim të bindur se meritonim. Ky moment duhet analizuar dhe ne do të bëjmë një analizë të plotë dhe që nuk do të jetë për të larë duart nga përgjegjësitë dhe as për të bërë koka turku por do të jetë një analizë që ti shërbejë PD-së të analizojë pjesën e saj të përgjegjësisë, të nxjerrë mësime dhe të dali më e fortë për sfidën e radhës elektorale”, u shpreh Basha. Përgjegjësia për humbjen, tha ai, fillon nga gjithsecili prej nesh. Thirrja e z.Basha drejtuar demokratëve ishte që të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos lejojnë shpifje dhe përçarje mes tyre. “Përgjegjësia për humbjen e 23 Qershorit qëndron jo vetëm mbi Sali Berishën, por fillon nga gjithsecili prej nesh. Kjo është një mundësi për të bashkuar secili prej nesh në këtë familje të madhe. Elementi i parë i reflektimit është që të jemi të gjithë bashkë dhe mos të lejojmë përçarje dhe shpifje që të hyjnë mes nesh. Secili prej nesh duhet të pranojë përgjegjësitë e veta. Kandidatura ime për kreun e PD-së nuk është nisur nga ambicia personale, por duke u nisur nga ndjenja e përgjegjësisë dhe ky është një vendim mjaft i vështirë për mua. Militantët e Partisë Demokratike janë njerëz punëtorë dhe të përkushtuar. Fillimi i projektit të ri politik, dëgjimi i zërit të çdo anëtari të PD-së në çdo cep të vendit. Ky proces duhet të jetë i vërtetë dhe i prekshëm nga të gjithë dhe duhet të jetë një proces cili duhet të nisë sa më parë. Këtë proces që ne nisim sot po e bëjmë për herë të parë por ne do të mbështetemi fort tek shpirti ynë demokrat, tek virtytet tona që janë ndoshta edhe kontrasti më i madh me kundërshtarët tanë tradicionalë politikë. Unë dua t’ju kërkoj edhe njëherë që në këtë proces, të hyjmë me dinjitet. Jemi të lodhur nga beteja, pa dyshim, por jemi dinjitozë dhe krenarë për atë që i dhamë Shqipërisë në këto 8 vite. Jemi të mërzitur nga rezultati, pa dyshim por nuk do të shpikim as armiq imagjinarë dhe as nuk do të bëjmë të papërgjegjshmin. Sëbashku ne do të analizojmë dhe lexojmë me kujdes e durim, me mençuri gjykimin e votuesit shqiptar dhe kur ta kemi lexuar e përkthyer në veprimet politike që ne do të ndërmarrim së bashku, kur ne të gjithë së bashku të kemi “shkyçur” potencialin e jashtëzakonshëm që PD mbart në gjirin e saj, nëpërmjet anëtarëve dhe militantëve të saj, kur të kemi rifituar zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, duke u treguar atyre se ne ishim të vërtetë në premtimet tona, se premtimet tona i bëmë realitet, ja ku janë dhe se përballë kanë njerëz të papërgjegjshëm që janë gati të thonë gjithçka për pushtet, atëherë ne do të hedhim hapin e parë, hapin e parë të fortë dhe të sigurt, jo në fushën e betejës por në fushën e mendjes së të gjithë shqiptarëve që kanë treguar në vite e dekada besimin tek PD dhe tek forca jonë transformuese”- tha Basha. Ai foli për një strukturim të PD-së duke vlerësuar meritën dhe kontributin e çdo anëtari. “Në përputhje me përvojat më të mira të partive moderne evropiane, ky proces të ndodhë para dhe pas çdo procesi zgjedhor”. Sikurse edhe tek evidentimi i plotë i potencialit kudo që e kemi, sepse potenciali jonë sikundër anëtarësia jonë, është një ajsberg, shpeshherë i duket vetëm maja, por ka një masë të madhe poshtë, masë e cila bëhet kritike dhe vendimtare në kohë fushatash në qoftë se motivohet ashtu siç duhet. “Dhe po flas vetëm për anëtarësinë, por pas tyre vijnë mbështetësit, simpatizantë, shoqata partnere, LDG, FRPD-ja e shumë e shumë faktorë të tjerë të shoqërisë”- vijoi Basha. Duke u ndalur te mazhoranca e re që pritet të formohet në shtator, kandidati për kryetar të PD, Lulzim Basha tha se ky formacion mund të dalë kundër interesave të qytetarëve, pasi ka bërë premtime të cilat nuk i mban dot. Në këtë linjë, PD, tha Basha, do të angazhohet dhe do të jetë në mazhorancë me interesat e qytetarëve shqiptarë. “Përballë kemi një mazhorancë të votës së deformuar. Mos më keqkuptoni! Nuk po vë në pikëpyetje rezultatin, por legjitimitetin. Jo të rezultatit, por të formave, mënyrave dhe moralit të kësaj mazhorance. Kjo mazhorancë ka të gjithë të dhënat të jetë prepotente, e babëzitur, e papërgjegjshme dhe larg çdo standardi që presin sot qytetarët shqiptarë, veçanërisht standardit që ne synojmë. Kjo mazhorancë ka ardhur në pushtet me premtime që nuk i mban dot dhe që dyshoj se as nuk ka ndër mend t’i mbaj, pra as nuk do të rreket t’i mbajë. Kjo mazhorancë, së shpejti ka të gjithë shanset të na shfaqet në opozitë të hapur me interesin publik dhe në pikëpamjen time, ky është momenti kur Partia Demokratike, si partia më e madhe dhe kryesore e opozitës së vendit duhet të jetë në opozitë me këtë mazhorancë dhe në mazhorancë me interesin publik të qytetarëve shqiptarë. Këtë mund ta bëjmë, kur paralelisht dhe pas procesit të ringritjes, ristrukturimit dhe gjithpërfshirjes së anëtarësisë së Partisë Demokratike, të kemi ndërtuar instrumente të përhershëm dhe efiçentë të komunikimit me çdo pjesë tjetër të shoqërisë shqiptare, me shoqërinë civile, me botën akademike, me rininë, me biznesin, të vogël e të mesëm, me çdo grup interesi, duke ndërtuar së bashku një mazhorancë morale e cila nesër duhet dhe do të jetë mazhoranca zyrtare e Shqipërisë evropiane. Përpara se të shkojmë atje, ne duhet të provojmë kredencialet tona, në mbrojtjen e këtij interesi publik dhe kjo kërkon përkushtim në çdo nivel, pikë së pari në nivelin e Partisë Demokratike, në strukturën e saj në degë, për të vigjiluar me vendosmëri dhe pa asnjë lëshim në mbrojtjen e shtetit ligjor, institucioneve dhe administratës publike. Arbitrariteti dhe abuzimi me administratën publike janë tashmë një rekord i vendosur nga protagonistët e mazhorancës aktuale”- tha ai. Lulzim Basha renditi arritjet e Shqipërisë nën qeverisjen e Partisë Demokratike nga shembja e diktaturës komuniste me Azem Hajdarin dhe studentët liberatorë të ’90-ës. “Dua sot, si pjesë e vizionit tim për të ecur përpara por edhe si vendim timin personal, t’ju komunikoj juve dhe nëpërmjet medias, mazhorancës së ardhshme, që Partia Demokratike do të angazhohet në çdo formë dhe mënyrë, për të mbrojtur shërbimin civil dhe në funksion të kësaj do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të evidentuar një më një çdo shkelje flagrante, nga fshati më i thellë i Vermoshit në Konispol, të kësaj mazhorance, në raport me shërbimin civil dhe administratën publike dhe se do të angazhojë të gjithë potencialin e vet njerëzor, ligjor dhe juridik, në rast të abuzimit të tyre, në raport me shërbimin civil dhe administratën publike, për t’i përballur me koston financiare, juridike dhe politike para qytetarëve shqiptarë. Në këtë përpjekje kam hyrë sepse nuk ndihem vetëm, jemi bashkë, por nuk jemi vetëm as në një kuptim tjetër. Ne tashmë jemi një parti që ka ndërtuar një traditë të vyer, më të vyerën në historinë e Shqipërisë moderne. Ne jemi partia që bëri të mundur shpërthimin e vargonjve të diktaturës, me në krye Azem Hajdarin dhe studentët liberatorë, ne jemi partia që i dha shpresë vendit më të pashpresë në planetin komunist, ne jemi partia që luftoi dhe vendosi bazat e lirisë dhe demokracisë në një vend të tjetërsuar nga diktatura më e egër që fshiu çdo memorje të deçencës, pronës dhe u përpoq të fshinte edhe elementët më thelbësorë të qënies njerëzore, besimin në Zot. Ne jemi partia që bëmë të mundur në një kohë të shkurtër, të ngrihemi nga një ndër kolapset më të tmerrshme ekonomike që ka njohur ndonjë shoqëri në Evropën e pas-luftës së dytë Botërore dhe të vendosmin themelet e ekonomisë së tregut. Ne jemi partia që qëndruam, nuk u tjetërsuam dhe bëmë qëndresën më historike pas rebelimit të 1997, për t’u rikthyer me votë në 2005. Ne jemi partia e vlerave të mëdha, ne jemi partia e njerëzve gjigantë në besimin e tyre në liri, në demokraci, në integrim. Ne jemi partia e përpjekjes dhe sakrificës. Jemi partia e Sali Berishës! Ne nuk jemi vetëm, në opozitë dhe nuk jemi vetëm në universin politik. Për herë të parë, me ndonjë përjashtim që nuk vlen të përmendet, ne jemi sot e djathta e bashkuar shqiptare. Ky është një investim i cili duhet të fuqizohet, jo thjesht për PD por për interesin publik sot dhe për rikthimin tonë si mazhorancë nesër”, u shpreh më tej, Lulzim Basha në fjalën e tij përpara demokratëve të qarkut të Elbasanit.


CV e kandidatit për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha


Lindur në Tiranë më 12 qershor 1974, Lulzim Basha mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën 8-vjeçare “Skënder Çaçi”, si dhe shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Tiranë. Lulzim Basha u angazhua që në dhjetorin e 1990 bashkë me të rinj të tjerë gjimnazistë të Tiranës përkrah studentëve dhe Partisë Demokratike të sapothemeluar. Pjesëmarrës aktiv në protestat para dhe pas zgjedhjeve të Marsit 1991, gjatë zgjedhjeve të 1992 ai ishte vëzhgues i Partisë Demokratike në KQZ. Në vitin 1993 Basha nisi studimet në Universitetin e Utrechtit në Hollandë, ku u diplomua në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare Publike. Në vitin 1999 Lulzim Basha u bë pjesë e skuadrës që përgatiti akt-akuzën për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi. Ai më pas shërbeu në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ku ndihmoi në krijimin e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë. Në korrik 2005 Lulzim Basha u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë si një nga përfaqësuesit e qytetit të Tiranës. Fitores së një prej zonave të vështira elektorale për Partinë Demikratike në Tiranë i parapriu angazhimi i Bashës si Koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave, Zëdhënës i Fushatës 2005 dhe pjesëmarrja e tij në dhjetëra debate televizive përballë përfaqësuesve të mazhorancës socialiste. Në qeverinë e re të Kryeministrit Berisha, Bashës iu besua fillimisht detyra e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Në këtë detyrë ai nisi punimet për ndërtimin e Rrugës së Kombit, autostradës Durrës-Kukës-Morinë, vepra më e madhe infrastrukturore e ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri e cila bashkoi Shqipërinë me Kosovën. Në maj 2007 Basha u zgjodh Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në një kohë kur për herë të parë Shqipërinë e vizitoi një President në detyrë i SHBA-së, Xhorxh Ë. Bush. Gjatë drejtimit të diplomacisë nga Lulzim Basha, Shqipëria mori ftesën dhe një vit më pas u anëtarësua në NATO, hapi negociatat për liberalizimin e vizave me zonën “Schengen”, iu pranua aplikimi zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe Kosova u shpall e pavarur. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 Lulzim Basha kryesoi fushatën elektorale në Qarkun e Elbasanit ku Partia Demokratike shënoi një rezultat historik duke marrë 7 nga 14 mandate në krahasim me 2 mandate në vitin 2005. Në qeverinë e re Bashës iu besua portofoli i Ministrit të Brendshëm. Nën drejtimin e tij u përmbushën të gjitha kriteret teknike për liberalizimin e vizave në zonën “Schengen”, si dhe u arritën standarde të reja në luftën kundër krimit, aseteve kriminale dhe bashkëpunimit në fushën e rendit dhe sigurisë. Këto hapa bënë të mundur vendimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë në dhjetor 2010. Në vitin 2011, Lulzim Basha kandidoi kundër ish kreut të Partisë Socialiste Edi Rama. Fushata e Tiranës u konsiderua fushata më e mirë që Partia Demokratike kishte zhvilluar ndonjëherë. Fitorja e Bashës riktheu Partinë Demokratike në pushtet në Bashkinë e Tiranës pas 11 vitesh. Gjatë më pak se dy viteve në drejtim të Bashkisë Tiranë, kryebashkiaku Basha ka udhëhequr një proces transformimi të kryeqytetit shqiptar. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi, përmirësimi i cilësisë së jetës për qytetarët e Tiranës dhe zbatimi i një numri projektesh strategjike për ta shndërruar Tiranën në një qytet modern dhe Europian janë shtyllat kryesore të këtij transformimi të përditshëm dhe të prekshëm për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë vizitorët e kryeqytetit shqiptar. Në qershor 2012 Basha u zgjodh Kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›