E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha: Marrëveshja e ujrave sulmohet nga interesa thelbësisht antishqiptare

Ish-ministri i Jashtëm Lulzim Basha, sot në detyrën e ministrit të Brendshëm, i cili ka qenë firmëtar i marrëveshjes së Jashtme me Greqinë deklaroi në emisionin “Kontrast” të tv Alsat se Shqipëria nuk ka humbur asnjë metër katror dhe se kjo do të ishte marrëzi nëse do të ishte e vërtetë. “Do të ishte një marrëzi përtej çdo idiotësie që mund të ketë parë ky vend në këto 70 vjet apo 80 vjet që të mendohet se ekspertët e shtetit shqiptar do të angazhoheshin në një negociatë një vjeçare, përfundimi i së cilës do të ishte falja, qoftë edhe i nje metri katror hapësirë detare, ujore, ajrore apo tokësore e territorit të republikes” tha Basha. Pyetjes së gazetarit nëse kemi humbur hapësirë ujore, sikurse pretendojnë kundërshtarët e marrëveshjes ministri iu përgjigj: “Ky është një konstatim absolutisht absurd dhe për të qenë i mëshirshëm po e quaj donkishotesk. Shqipëria nuk ka lëshuar asnjë centimetër katror. Shqipëria nuk ka lëshuar asnjë fije nga interesat e veta kombëtare. Kjo marrëveshje është në interesin kombëtar të Shqipërisë sepse për herë të parë i hap rrugë Shqipërisë të eksplorojë në mënyrë të plotë, të ligjshme, të gjithë hapësirën detare në territorin e delimituar. Marrëveshja është thellësisht legjitime. Është hartuar në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme dhe çdo kontestim i bërë ndaj kësaj marrëveshjeje është spekulativ, donkishotesk dhe në thelb antishqiptar”. Pretendimeve të kundërshtarëve të marrëveshjes sipas së cilëve arsyet e përcaktimit të kufirit lidhen me gazsjellin rus “South Stream”, Basha iu përgjigj: “E njëjta palë që pretendon dhe spekullon për këtë punë tregon një hartë që qartësisht gazsjellësin apo naftësjellësin e kalon në pjesën jugore të Korfuzit, që s’ka të bëjë fare me marrëveshjen”. I pyetur se çfarë do të ndodhë me marrëveshjen apo marrëdhënien mes Tiranës dhe Athinës nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë ankimimit të opozitës, Ministri tha se “është e parakohshme të spekulojmë” dhe se duhet “të presim që Gjykata Kushtetuese të thotë fjalën e vet”.


Ndërsa, duke folur për liberalizimin e vizave, ministri Basha tha se në nëntor qeveria do të ketë plotësuar kushtet teknike. “Në një periudhë të shkurtër kohore që ne jemi të bindur se do të shkurtohet edhe më tej si rezultat i punës së qeverisë, edhe qytetarët shqiptarë do të gëzojnë të njëjtin privilegj të lëvizjes së lirë në hapësirën Shengen. Qershori i 2010 është premtimi ynë, por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të bëjmë maksimumin për ta shkurtuar më tej këtë afat kohor”. I pyetur për kërkesën e opozitës e cila kërkon sërish imunitetin e tij Basha tha se gjykata e ka dhënë fjalën e saj. “Më duhet të theksoj që personalisht, ashtu si çdo anëtar tjetër i mazhorancës unë i mbetem vendimit tonë politik për të hequr imunitetin sa herë ai kërkohet” tha ministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›