Lulzim Basha, gënjeshtari me këmbët e shkurtra
Duke shfrytëzuar organet e shtypi dhe kanalet televizive, Lulzim Basha shpërndau gjithandej lajmin se po shkonte në Uashington si i ftuar i homologut të tij amerikan, z.Vincent Gray. Dhe për ta përforcuar akoma më shumë këtë, shfrytëzoi një takim paraprak me ambasadorin amerikan në Shqipëri, z.Arvizu.
Për gjithkënd që ndjek zhvillimet politike të ditës nga gazetat dhe televizionet, fillimisht besoi se ajo ishte vërtetë një vizitë zyrtare. Ndërkohë, shtypi opozitar nisi investigimin për të marrë vesh diçka më shumë rreth kësaj vizite. Të dhënat e para na dhanë të kuptojmë se vizita e Bashës në Uashington ishte organizuar nga një Universitet privat, i cili kishte shfaqur edhe programin në faqen zyrtare në internet.
Gjithsesi, kureshtja ende mbizotëronte rreth çështjes së ftesës. Gazetarët e agjencisë Balkan Insight, arritën të kontaktojnë me zëdhënësin e kryebashkiakut Gray dhe nga përgjigja e tij mësuam se, citoj: Një takim i shkurtër do të zhvillohet të martën. Një banor i qytetit, me origjinë nga Shqipëria, i kërkoi kryebashkiakut të presë në një vizitë kortezie kryebashkiakun shqiptar dhe ai pranoi pasi shpesh zhvillon të tilla takime.
Pra, takimi na paskërkesh qenë i natyrës së kortezisë. Për çfarë i duhej Lulzim Bashës e gjitha kjo duke ditur që në kohët e sotme informacioni përcillet në kohë reale aq sa ske kohë të marrësh dot frymë?! Basha skishte asnjë arsye të investohej në një propagandë të gënjeshtërt. Askush s e ndalon atë të shkojë në cilindo shtet të dojë, me ftesa zyrtare, me ftesa private, apo me ftesa të sponsorizuara nga vet ai apo miqtë e tij.
Çfarë do i kushtonte tu thoshte qytetarëve të Tiranës se po shkoj në SHBA pasi kam një ftesë nga një universitet privat për të dhënë disa leksione për Tiranën. Me këtë rast, do shoh mundësinë për një takim me homologun uashingtonas apo edhe zyrtarë të lartë amerikanë. Me një fjalë, një rrugë e dy-tri punë. Deri këtu, çdo gjë do ishte korrekte dhe askush nuk do përpiqesh të rrëmonte për shkakun e vizitës.
Takimi në Bashkinë e Uashingtonit sigurisht që u realizua, sepse z.Gray e kishte pranuar paraprakisht kërkesën e shqiptaro-amerikanit ndërhyrës; ai i respekton ata që ndodhen përkohësisht në qytetin e drejtuar prej tij, aq më tepër një homolog. Por e gjitha kjo si jep kësaj vizite rëndësinë e një vizitë zyrtare, e cila sipas rregullave parapërgatitet me një protokoll të ndërsjelltë ku renditet të gjitha çështjet që do shtrohen për diskutim. Të dy delegacionet, secili me stafin e vet, bien dakord për mënyrat e bashkëpunimit dhe ndihmës që do jepet për çështje të caktuara, për të cilat, sipas traditës, nënshkruhen marrëveshjet e bashkëpunimit midis titullarëve.
Lulzim Basha u shfaq në zyrën e z.Gray, vetëm nën shoqërinë e ambasadorit tonë në Uashington, gjë që do të thotë se skishte asnjë lloj parapërgatitje për një takim zyrtar ndërinstitucional. Edhe nga kronikat televizive rezultuan se të dy bashkëbiseduesit kishin ndarë pikëpamje të përgjithshme për qytetet respektive, e në ndonjë rast edhe për diçka specifike, por që gjithsesi, siç u shpreh z.Gray, të vazhdojmë të komunikojmë. Pra, asgjë konkrete, por me shpresën se kryebashkiaku i Uashingtonit do kujtohet ti telefonojë homologut të Tiranës për të parë mundësinë e një bashkëpunimi në të ardhmen që sdihet sa e afërt do të jetë.
E gjithë kjo situatë që u mbërthye thjesht tek fakti nëse ftesa ishte zyrtare apo jo, në pamje të parë të jep përshtypjen sikur po kapemi me gjëra të vogla e pa rëndësi, demek, e lagu se lagu, rëndësi ka që e takoi. Por duke qenë se Lulzim Basha ka shumë probleme me të vërtetat e gënjeshtërta në të kaluarën e tij jo fort të largët, atëherë asgjë që lidhet me aktivitetin e tij nuk mund të thjeshtëzohet e anashkalohet. Askush ndër ne nuk ia ka për borxh të fyhet, qoftë edhe me këto gënjeshtra të vogla, ashtu pa zarar, sepse shembujt që Lulzim Basha na ka dhënë në vazhdimësinë e tij politike po i krijojnë çdo ditë e më shumë profilin e një politikani që si bën më përshtypje të gënjejë për çdo gjë. Përfundimisht ai duhet ta kuptojë se ska gënjeshtër të madhe apo të vogël; gënjeshtra mbetet gënjeshtër në çdo rrethanë që të bëhet e ti shkurton këmbët, sado të gjata ti kesh fizikisht. Sigurisht, nëse do ketë vullnet për ta kuptuar ndonjëherë rëndësinë negative të gënjeshtrës!
