E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëheqje apo padi kundër Presidentit

GENC POLLO

Një javë më parë, në faqet e kësaj së përditshmeje, Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi, më kërkoi që ose ta padisja në Prokurori për abuzimet dhe zullumet e krerëve të KLD-së, ose të jepja dorëheqjen nga posti i ministrit. Një ditë para kësaj deklarate, në të njëjtën gazetë unë kisha pohuar se propozimet dhe emërimet në Gjyqësor, që nga viti 2007 ishin karakterizuar shpesh jo vetëm nga favorizimi, por edhe nga ryshfeti, dhe se do të duhej kohë e përpjekje për të riparuar këtë dëm të madh (sipas meje ky dëm nuk kishte ndodhur më parë, të paktën jo në këtë formë, përmasë e përfshirje).
Në respekt të ofiqit më të lartë, do të doja të gjegjesha si më poshtë:
Mua nuk më pëlqen të përgojoj vend e pavend njerëzit, e në veçanti ata syresh që bartin përgjegjësi publike, nuk më pëlqen as rituali i fyerjeve e sharjeve me rrënjë e me degë mes politikanëve dhe tentoj të mbetem jashtë tij, nuk dua as të cyt mosbesimin e popullsisë në institucionet publike, që te ne, ashtu si dhe gjetiu në këto gjerësi gjeografike, historikisht është i lartë. Vendimi për të thënë publikisht të tilla gjëra përbën një dilemë morale: A ta zbulosh gangrenën me shpresë që të nxitësh e precizosh ndërhyrjen që kështu të shërohet trupi, apo të fusësh plehrat nën qilim e të ruash fasadën e pastërtisë? Anova nga e para me besim se një debat i hapur ndihmon përpjekjet që pocaqira të tilla të mos përsëriten më.
Meqë jemi te pohimet, le të kujtojmë që Presidenti Topi mblodhi një Këshill të Urtësh me figura të njohura dhe të nderuara të komunitetit të juristëve, që do të konsultonte mbi emërimet në instancat e sipërme të Gjyqësorit. Ky këshill në vijim u margjinalizua, u injorua e u harrua, duke bërë që disa personalitete të Këshillit të lëshonin  një deklaratë plot indinjatë ndaj sjelljes poshtëruese. Le të kujtojmë që jo rrallëherë arsyet e Kuvendit për të refuzuar kandidatura të propozuara nuk kishin të bënin vetëm me moskonsultimin e grupeve parlamentare kryesore, por edhe me dyshimin deri bindjen se pas kandidimit qëndronin ato që thamë më lart. Le të kujtojmë që edhe ndonjë figurë e opozitës nuk është ndjerë mirë kur ka lexuar listën dhe ka shpërthyer para kamerave duke thënë se këto propozime janë të denja vetëm për gjykatoren e Rrashbullit.
Nga përvoja ime direkte si kryetar i Komisionit Qeveritar për Tokat (KQT mbikëqyr procesin e verifikimit të titujve të pronësisë në tokën bujqësore), po sjell një rast tejet modest, por gjithsesi domethënës, për çështjen në fjalë. Nga kontrolli periodik rezultoi se në një rreth të vendit, gjyqtari I. H. në dy raste identike të konfliktit midis palëve pronar shtet e pronar privat, herë vendosi në favor të njërit e herë në favor të tjetrit. Në vijim, në maj 2010 i drejtova një letër Presidentit të Republikës (dhe për dijeni edhe ministrit të Drejtësisë) me shqetësimin për këtë abuzim të dukshëm dhe me kërkesën që KLD-ja ti hetonte këto raste. Në mbledhjen vijuese të KQT-së, disa muaj më vonë, ndërsa flisja për problemet me Gjyqësorin dhe në veçanti për këtë rast, ministri i Drejtësisë më thotë: Qenke lodhur kot, se këtë gjykatës e kanë promovuar, e kanë emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, duke treguar me kokë nga fotografia e varur në murin ballor të sallës së mbledhjes (nuk mund të fsheh simpatinë për idenë  që fotoja aktuale në atë faqe muri të zëvendësohet  me atë të Ismail Qemal Vlorës apo të Skënderbeut).
Në lidhje me raportet e ndërkombëtarëve, të cilat Presidenti i përmend në deklaratën e tij duke pretenduar se e vlerësojnë pozitivisht atë, do të doja tju kujtoja botimin në qershor 2010 nga BE të raportit Desterbeck&Loquet, (Rule of law mision; the fight against corruption), raport i cili qartazi dhe pazakonshëm, në faqen 5 të tij, në paragrafin e parë të kapitullit Gjyqësori,  shprehet se KLD-ja bën emërimet e Gjyqësorit  kundrejt ryshfetit. Gjithashtu, refuzimi i krerëve të KLD-së për të miratuar kritere dhe rregulla në emërimet e gjykatësve, sipas propozimit të vitit 2009 të ministrit të  Drejtësisë, tregon vullnetin e tyre për të ruajtur status-quo-në.
Jam kureshtar nëse z. Topi do të iniciojë shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së kur ti mbërrijë në skrivani propozimi që po shqyrtohet këto ditë në Kuvend. Mbrojtja e faqeziut të vogël tanimë është gjë e bezdisur për të madhin. Madje më duket se ky i fundit do të donte ti lante duart qoftë edhe për sy e faqe. Veç nëse nuk kemi skena të tipit po e firmose, ti hapa letrat!
Dhe tani të dalim te dilema në të cilën më vuri zoti President: Të jap dorëheqjen? Nëse do të kisha thënë një të pavërtetë, nëse do të kisha shpifur, do kisha fyer e lënduar pa të drejtë, unë do ta konsideroja seriozisht sugjerimin e Presidentit, por nuk më rezulton ta kem bërë këtë. Mund të ketë njerëz që në dilemën morale mes fshehjes së plehrave nën petkun e bukur dhe shpalljes troç të së vërtetës së pakëndshme, do të preferonin të parën; por kjo nuk ka lidhje me detyrën time. Sugjerimi tjetër i Presidentit, që unë ta denoncoj në Prokurori për zullumet e lartpërmendura, më duket paksa ironik kur mendoj që prokurorja e Përgjithshme, zonja Ina Rama, ka treguar që lëshon indulgjenca të panatyrshme për organin e akuzës, kur në shënjestër janë persona të lidhur me të, pavarësisht cilës sëre apo krahu i përkasin. Por përtej kësaj dileme të rreme do të doja të përgjigjesha me një kundërsugjerim: zoti Topi i ka të gjitha mundësitë të më padisë për cenim të figurës së Presidentit (Kodi Penal e parashikon këtë krim) dhe ky do të ishte rasti i ballafaqimit të të vërtetave të gjithsecilit, të thëna e të pathëna. Por çështja këtu nuk është të bëjmë zhurmë në fund të periudhës së faqezinjve me shinikun në njërën dorë dhe me fletë-emërimin në dorën tjetër; thelbi nuk ka të bëjë me sa lexuat më lart. Kryesorja është që në muajt në vijim debati për Presidentin e ardhshëm të orientohet nga garancitë e integritetit moral të kandidatëve, si dhe nga garancitë që Presidenti do të propozojë figura me po atë integritet moral për drejtimin e KLD-së e të Prokurorisë, në mënyrë që jo vetëm të evitojmë karagjozët shëtitës dhe inkuizitorët politikë, por edhe të arrijmë që kurba e besimit të qytetarëve në këto institucione të marrë përsëri përpjetë.
*Autori është ministër e deputet

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›