Lulzim Basha prezanton Tiranën, si kryeqendra e 100 mijë studentëve
Kandidati për kryebashkiak i PD-së shpjegon para një auditori të gjerë lehtësirat që do të kenë 80 mijë studentët e Tiranës, me çeljen e vitit të ri akademik, kur do të hyjë në fuqi Karta e Studentit, me të gjitha privilegjet që rrjedhin prej saj. Mbështetje për shndërrimin e Tiranës në metropolin e 100 mijë studentëve
Duke nisur nga viti i ardhshëm akademik, të 80 mijë studentët e Tiranës do të kenë kartën e studentit. Kështu i ka siguruar studentët e kryeqytetit, kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim që pati sot në Universitetin Kristal. Kjo kartë do t’u mundësojë studentëve disa lehtësira, si në transportin publik ashtu edhe në frekuentimin e institucioneve kulturore, por edhe në shërbime të tjera publike dhe private që ofrohen në Tirane. Kandidati për kryebashkiak u shpreh para studentëve: “Vizioni im për Tiranën, që nuk është fantazi por është fare pranë realizimit, është Tirana e 100 mijë studentëve. Studentët kanë një sistem specifik të angazhimit të tyre në jetë me sfidat e përditshme, dhe në këtë partneritet të qytetit me studentin, dhe të studentit me qytetin, unë propozoj së pari: duke filluar nga viti i ardhshëm akademik, i cili fillon me sezonin e vjeshtës së këtij viti, bërjes realitet të Kartës Studentore për të gjithë studentët e Universiteteve të Tiranës. Çfarë do të thotë Kartë Studentore për mua si Kryebashkiak i ardhshëm i Tiranës? Do të thotë që bazuar në databazin e plotë, të studentëve të regjistruar, të regjistruar në Universitetet publike dhe universitetet jo publike, çdo student të pajiset me një kartë unike, të patjetërsueshme, e cila do të bëjë të mundur pike së pari, transport publik falas për të gjithë studentët e Tiranës” u shpreh kandidati për Kryetar Bashkie Lulzim Basha. Gjatë bashkëbisedimit me studentët, Basha ripërsëriti prioritetin e tij për shtimin e vendeve të punës në Tiranë, ku studentët do të jenë përfituesit kryesorë. Po kështu, Basha bëri të ditur se një zë i veçantë në buxhet, do te jetë ai i 100 bursave për studentët e shkëlqyer dhe 500 për ata në pamundësi ekonomike. Basha bëri gjithashtu të ditur se parashikon në projektin e tij hartimin e politikave zhvillimore në bashkëpunim me 5000 pedagogët e 80 mijë studentët që ka sot Tirana. “Parneriteti në universitet nga njëra anë dhe me ju, dhe partneriteti me bizneset nga ana tjetër, dhe vullneti i bashkisë për të luajtur këtë rol, i cili i takon me ligj, me moral dhe me përgjegjësi janë të vetmet kushte që duhet të përmbushin dhe të vetmet pengesa që nuk e kanë kthyer këtë në një realitet, por kanë mbetur si koncepte dhe ide. Ide, koncept dhe program të cilin në premtoj ta vë në jetë brenda 6 muajve të parë si Kryetar i ardhshëm i Bashkisë. Natyrisht kjo është e pamjaftueshme, ndërlidhja e faktorëve të vendeve të punës është e mirëpritur por e pamjaftueshme. Do të shpejtoj, do të përmirësoj komunikimin midis forcës së kualifikuar të punës dhe bizneseve që kërkojnë këtë forcë të kualifikuar”, tha z.Basha. Studentët, jeta e tyre akademike, infrastruktura dhe kushtet, dhe projekti për punësimin e tyre, janë një nga pikat e forta të programit të kandidatit për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha.