E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiparet qytetare të fushatës po shkatërrojnë recidivizmin konfliktual të Edvinit

09-04-2011 / Redaksionale

Poeti i dashur për shqiptarët lord Bajron thotë se “njerëzit dashurojnë shpejt dhe urrejnë avash”. Në këtë kontekst futen edhe premtimet e reja të Edi Ramës që fshehin mashtrime të vjetra. Dje, ai ishte tek fusha e aviacionit për të bërë fushatë premtimesh, ku mes batutash që të bënin të shkrihesh nga qeshja doli një batutë që më shumë se të qeshësh të bën të qash me dënesë. Gjatë takimit me banorët e zonës, Rama ka theksuar se tashmë qytetarët kanë një park të ri, i cili plotëson nevojat e për një ambient të pastër.
Mirëpo ky njeri, që është Kryebashkiak që prej 11 vitesh në Tiranë e që jeton në kullën e Pezës për të mbajtur freskët mushkëritë  e tij del tani duke na thënë, ne, për nevojën e një ambienti më të pastër. Kush ishte më parë? Këtu dy gjëra mund të jenë, o ne s’jemi mirë nga veshët ose Rama po thotë gënjeshtra të reja ndotëse. Si ka mundësi të flasë për parqe në fushatë elektorale të 2011, ku ka që prej vitit 2000 që ka premtuar parqe e gjelbërim dhe ka bërë beton e pallate pa fund duke asfiksuar me ndotje toksike qytetin. Është e papranueshme shitja e premtimeve të vjetra me ambalazh ri fjalësh të bukura.
Sakaq sot ka ardhur koha e përgjegjësive dhe alternativës me perspektivë për këtë qytet të telendisur si mos më keq. Është Tirana e drejtuar prej Ramës, që ka prodhuar ndër vite një ndotje toksike tre herë më shumë se Bashkimin Europian. Kurse ky tash në thotë se do të bëj një Park të madh për një ambient më pastër. Këtë fjali që fare mirë mund t’i thoshte një 13 vjeçar nuk do të merreshin në konsideratë po të mos ishin të një njeriu që drejton prej 11 vitesh bashkinë dhe njëkohësisht prej 6 vitesh drejton Partinë. Është Rama dhe sejmenët e tij, si ish-nënkryetari Edi Shalësi dhe ish-nënkryetarja Mimi Kodheli që kanë gjymtuar me dashje dhe pa dashje, me dije dhe padije, me aftësi dhe paaftësi jetën qytetare, duke filluar tek hapësirat e hapura dhe hapësirat e mbyllura: gjelbërimi dhe kinematë,  këndet e lodrave dhe çerdhet e fëmijëve, parqet dhe teatri, biblioteka, dhe shkollat që i mungojnë projektit Rama për Tiranën. Ky projekt mungon sepse ky projekt s’ka ekzistuar kurrë në sutakun e tkurrur të udhëheqësit të bashkisë dhe Partisë. Socialistët duan bashkinë për të marrë qeverinë  e kështu gjithë Shqipërinë.
Si do që të jetë Lulzim Basha është në aleancë me qytetarin për të ndryshuar fytyrën e përdhosur të kryeqytetit të vendit, që është një kantier ndërtimi prej 20 vitesh, me pluhur, baltë, beton, plehra, ndotje, etj që s’mbaron kurrë. Kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ka shpalosur tashmë tre vendimet e para që ai do të marrë pas zgjedhjes si Kryebashkiak i Tiranës do të jenë të lidhura me problemet themelore, të cilat shqetësojnë qytetarët e Tiranës. Akti i tij i parë në krye të Bashkisë së Tiranës do të jetë krijimi i Agjencisë së Konsumatorëve që të shqyrtojë nga problemet me CEZ, tek ujësjellësi, pra, njësitë publike në kuadër të shërbimit, duke vazhduar deri tek njësitë tregtare, ku duhen bashkërenduar veprimet për të ndalur spekulimet në treg që deformojnë konkurrencën. Për Bashën, vendimi i dytë lidhet me hapjen e vendeve të reja të punës, një nga premtimet kryesore të kandidatit të PD në këtë fushatë elektorale. Akti i tij i dytë do të jetë agjencia e punësimit dhe prioriteti im numër një në krye të Bashkisë së Tiranës do të jetë hapja e të paktën 30 mijë vendeve të reja të punës. Kryebashkiaku ka konsideruar si një vendim mjaft të rëndësishëm edhe atë të konsideruar si të tretin në radhë të kryebashkiakut të ardhshëm dhe që lidhet me miratimin e planit urbanistik për Tiranën. Ai ka premtuar përfundimi i planit urbanistik dhe vënia në jetë e planit turistik do të jetë pjesë e domosdoshme e realizimit edhe të agjendës së punësimit dhe agjendës së krijimit të një Tirane Evropiane që shtrihet në hapësirat territoriale që gëzon pa komplekse, por në respekt të plotë të ligjit dhe të parimeve themelore të tij, respektin për pronën private dhe rifitimit të hapësirës publike në favor të të gjithë qytetarëve. Në frymën e dashurisë, konsensusit qytetar dhe bashkëjetesës qytetare, që janë tre tiparet pa të cilat nuk mund të ketë qytet.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›