E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lulzim Basha të premten merr detyrën

Lulzim Basha do të kurorëzohet si kreu i ri i Bashkisë së Tiranës të premten, ditë në të cilën ai do të bëjë betimin para Këshillit të ri Bashkiak, në mbledhjen e parë të të mandatuarve.

Sekretari i Këshillit Bashkiak të kryeqyetit, Vladimir Gjonaj, i cili sipas ligjit për pushtetin vendor, është kompetent për thirrjen e mbledhjes së parë, tha se në sekretariat tashmë nga KQZ-ja, ka mbërritur vendimi i Kolegjit për ndarjen e mandateve dhe në këto kushte, mbledhja mund të zhvillohet pasi të jenë njoftuar të gjithë këshilltarët. Ligji për pushtetin vendor, sanksionon se mbledhja e Këshillit Bashkiak mund të zhvillohet 5 ditë nga momenti i lajmërimit të këshilltarëve, që sipas Gjonajt do të realizohet të hënën, për të mundësuar mbledhjen e këshillit të premten.

Po ashtu sipas ligjit "Për pushtetin vendor", pas vendimit të dhënë nga Kolegji Zgjedhor për ndarjen e mandateve, sekretari aktual i këshillit, duhet të thërrasë mbledhjen e parë jo më vonë se 20 ditë nga shpallja e rezultatit. Kolegji Zgjedhor e dha vendimin për Tiranën më 8 korrik dhe mbledhja e parë duhet të thirret brenda datës 28 korrik. Në pikat 1 dhe 2 të nenit 26 të këtij ligji, thuhet se: Këshilli komunal ose bashkiak e zhvillon mbledhjen e tij të parë jo më vonë se 20 ditë nga shpallja e rezultatit të zgjedhjes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Mbledhja e parë e këshillit thirret nga sekretari i këshilit komunal ose bashkiak. Në mungesë të tij, nismën për thirrjen e mbledhjes së parë e merr prefekti. Në rast se asnjë nga subjektet e sipërpërmendura nuk e ushtron këtë të drejtë brenda afatit të parashikuar, atëhere këshilli mblidhet vetë brenda 10 ditëve. Në këtë mbedhje të parë të të mandatuarve, të rinj të Këshillit të Bashkisë së kryeqytetit pritet të zgjidhet kryetari dhe zëvendëskryetari i Këshillit, si dhe zgjidhen anëtarët që do të përfaqësojnë këshillin komunal ose Bashkiak në këshillin e qarkut.

Vetëm pas betimit të Lulzim Bashës si kryetar i ri i bashkisë së Tiranës, Edi Rama mund të thirret ish kryetar, pasi zyrtarisht ai mban detyrën deri të premten. Sipas Ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, Rama e lë zyrtarisht detyrën që e ka marrë që në vitin 2000, pasi bën betimin kryetari i ri i Bashkisë, Lulzim Basha. "Ushtrimi i mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës", thuhet në pikën 4 të nenit 40 të Ligjit për pushtetin vendor.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›