Lunaçek: Marty u përball me deklarata të forta për raportin

Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Ulrike Lunacek, ka komentuar gjatë një interviste për mënyrën se si Dick Marty i sheh hetimet rreth pretendimeve për trafik organesh nga një pjesë e drejtuesve të UÇK-së, duke përfshirë dhe kryeministrin Hashim Thaçi. “Propozimi i tij është që hetimet të bëhen nën mbikqyrjen e EULEX-it, por që hetimet të jenë të bazuara jashtë Kosovës, pasi Kosova është një vend i vogël dhe ka ende probleme me mbrojtjen e dëshmitarëve. Me këto qëndrime pajtohem dhe unë. Një tjetër element, për të cilin këmbënguli Marty, është dhe fakti se prokurori i kësaj çështjeje duhet të jetë i njëjti nga fillimi në fund. Të mos ketë ndryshim të prokurorëve, për shkak të kohëzgjatjes së mandatit, siç ndodh zakonisht në EULEX. Mendoj se ky është një opsion i mirë”, ka theksuar Lunaçek për Evropën e Lirë. Sipas saj, në paraqitjet e tij të 16 dhjetorit dhe 25 janarit para Këshillit të Evropës, Marty kishte marrë jo pak duartrokitje dhe fjalë mirënjohjeje lidhur me raportin e tij mbi Kosovën. Por, në të parin takim jashtë Këshillit të Evropës, Lunacek ka thënë se Marty është përballur me deklarata të forta mbi vërtetësinë e raportit dhe prapavijën politike të tij. Ai ishte zënë ngushtë, kur më 10 mars, europarlamentarët kërkuan fakte, e jo spekulime, për raportin e tij. Marty pranon hetimet nën ombrellën e EULEX-it, por struktura që ai kërkon mund të ngrejë pikëpyetje se bëhet fjalë për një lloj gjykate speciale ndërkombëtare, këtë radhë vetëm për Kosovën. Kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, me raportin e Martyt kanë një argument më shumë kundër shtetit më të ri.