E Diel, 1 Nëntor 2026

Lunxhëria gjallërohet në verë, kthimi i emigrantëve dhe turistët i japin jetë dhe fshatit

Fshatrat e Gjirokastrës po kalojnë një nga periudhat më të vështira, por njëkohësisht edhe më të bukura të vitit. Në fshatin Kakoz, në zonën e Lunxhërisë, banorët i gjejmë këto ditë të angazhuar në bahçet e tyre, duke u kujdesur për të mbjellat, perimet dhe frutat, në një punë të përditshme që kërkon përkushtim dhe mund.

“Për fshatin. Kjo është periudha më e vështirë për ne, sepse tani i kemi mbjellë të gjitha perimet dhe ato kërkojnë shërbim e kujdes”, u shpreh një vendas.

Kjo është gjithashtu një nga periudhat më të bukura për këto fshatra, pasi gjallërohen nga emigrantët që kthehen për pushimet verore. Prania e tyre sjell më shumë jetë në komunitet, duke rikthyer traditat, familjet dhe atmosferën e ngrohtë që karakterizon jetën në fshat.

“Jo vetëm që gjallërohet fshati, por edhe na bëhet zemra mal kur shohim fëmijët. Kënaqemi kur i shohim, sepse tani ata kthehen në fshat. Gjatë festave të fshatit dhe pushimeve vijnë shumë njerëz, ndaj fshati mbushet plot”, tha ai.

Fshatrat e zonës së Lunxhërisë po tërheqin edhe turistë të huaj, të cilët i preferojnë për natyrën e bukur dhe mikpritjen e banorëve. Në zonë janë hapur edhe disa bujtina, duke e kthyer këtë krahinë në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar për turizmin rural dhe përvojat autentike.

Gazetare B.Pëllumbi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›