E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja kërkon analizën e Lezhës, si dhe 6 pikët e mbetura

Nga JULIAN KASAPI

Sipas sekretarit Judmir Shurdhi, Lushnja është një skuadër që ka luajtur pastër, por është ndëshkuar dhe dëmtuar njëkohësisht

Javë pune në kampin lushnjar në kuadër të ndeshjes së parafundit të këtij sezoni futbollistik. Java e fundit nuk la shije të mirë te Lushnja, gjë e cila ka lidhje me ndeshjes që u luajt në Lezhë mes Besëlidhjes dhe Kukësit. Për lushnjarët kampionati ishte në rrugën e duhur, por në këtë fund më shumë po luhet jashtë fushës së blertë, duke prishur bukurinë dhe korrektësinë e  garës.

Megjithatë, në kampin lushnjar ka ende shpresa dhe futbollistët ndjekin detyrat, që i  ngarkon stafi teknik me Malkon në krye. Shpresa vdes e fundit dhe skuadra lushjnare e di fort mirë se sido që të ndodhin ngjarjet në Kukës, ku luhet kryendeshja e javës, Kukësi-Luftëtari, verdhëjeshilët e kanë të garantuar play off- in.

Ndeshja shtesë në fund të kampionatit mund të sjellë ndoshta atë që shumë nga tifozët lushnjarë kërkojnë nga skuadra e tyre e zemrës, kalimi në superligë. Ndonëse përgatiten për ndeshjen e radhës drejtuesit lushnjarë nuk e harrojnë lehtë historinë e fundit që ndodhi në Lezhë. Me anë të një relacioni që kemi dërguar në FSHF kemi kërkuar, që të analizohen hollësisht ngjarjet në Lezhë dhe këtë e kemi kërkuar, pasi jemi pjesë e kësaj gare, që quhet kampionat.

Bota sportive i dënon rezultatet, që nuk merren në fushën e lojës me djersën e futbollistëve. Lushnja është një skuadër që ka luajtur pastër, por jemi ndëshkuar dhe dëmtuar njëkohësisht,- u shpreh sekretari i klubit të Lushnjes, Judmir Shurdhi.  Në ambientet sportive të Lushnjes diskutohen ndeshjet e kësaj jave, ku verdhëjeshilët do të ndeshen në transfertë me Adën, një skuadër që duhet pasur në konsideratë, veshët janë drejtuar  edhe sfida e Kukësit.

Nëse gjithçka do të luhet në fushën e lojës, atëherë lushnjarët shpresojnë deri në fund të garës, por, gjithmonë, nëse kjo do të jetë e ndershme. Por para se të kërkojnë dhe të presin nga ndeshjet e kundërshtarëve, Lushnjes i del për detyrë që në dy ndeshjet e fundit ta bëjë si duhet punën e saj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›