Dede: Kukësi-Luftëtari, si një reaklam për kategorinë e parë
Sfida nuk duhet të amplifikohet, po ndodh si me Skënderbeu-Flamurtari sezonin e kaluar. Ne e kemi realizuar objektivin dhe shkojmë të luajmë futboll, ndërsa kundërshtari është në trysni
Kur filloi kampionati i këtij sezoni, Luftëtari shpalli si objektiv, kalimin në superligë, gjë që e realizoi dy javë para përfundimit të tij, por tashmë duke qenë se oreksi vjen duke ngrënë, ai shpalli dy objektiva të tjera.
Të shpallet kampion i kategorisë së parë, që e ka realizuar që kur u shkëput 9 pikë nga ndjekësi më i afërt si dhe Arlind Nora të bëhet golashënuesi më i mirë, gjë që u deklarua para ndeshjes me Adën, objektiva që mbetën të realizohen në dy ndeshjet e mbetura.
Trainer i Luftëtarit, karizmatiku, Nevil Dede, në prag të ndeshjes me Kukësin, thotë: Së pari dua të theksoj se kam një muaj që nuk kam dhënë deklarata për shtyp, përveç atyre pas ndeshjeve, që janë detyrim moral dhe profesional për çdo trajner.Më vjen keq që, midis dy qyteteve që ekipet e tyre pretendojnë titullin kampion të kategorisë së parë po bëhet i njëjti gabim që u bë sezonin e kaluar, midis Korçës dhe Vlorës.
Në asnjë mënyrë nuk duhet përzier futbolli me politikën dhe të ngjallim armiqësi midis dy qyteteve. Detyrimi ynë kryesor është që të përcjellim një mesazh paqeje dhe Fair- Play. E kam thënë dhe do ta them prapë se futbolli luhet për njerëzit dhe veçanërisht tifozët që vijnë në shkallët e stadiumeve, ndaj ne përgatitemi që ti kënaqim ata.
Përsa na përket neve si klub e konsiderojmë këtë garë vetëm në aspektin sportiv. Dihet që në futboll, në fundin e një sezoni ka disa ekipe që dalin jashtë objektivave dhe nuk na lejohet të bëjmë abuzime në rezultate.
Do të kisha shumë dëshirë që kjo ndeshje midis vendit të parë dhe të dytë, të tregojë realisht nivelin e çdo njërit dhe të bënte një reklamë shumë pozitive të cilësisë së futbollit tonë jo vetëm nga ana sportive por dhe ajo njerëzore e humanitare. Ne si klub objektivin tonë e përmbushëm dhe tani gjithçka luhet për prestigj. Jo gjithmonë ai që ulëret apo ka pushtet ka të drejtë.
Sa për deklaratat e miqve dhe kolegëve kuksianë nuk e besoj se janë të vërteta, por them se janë shkruar në momente euforie nga gazetarë të veçantë. Përsa i përket ndeshjes mendoj se do ta kemi shumë thjesht për ta interpretuar. Trysnia do jetë mbi kundërshtarin tonë sepse ai ende nuk e ka përmbushur objektivin e tij, – tha në fund të fjalës së tij, trajneri i gjirokastritëve, Nevil Dede
