E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushtaku i painformuar

Gjykimi ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve në Rastin “BIRN” ka gjasa që të shtyhet për një ditë tjetër, pasi Kryetari i Skenderajt deklaron se nuk ka marrë ftesë nga gjykata. Ndryshe nga i akuzuari, Jeta Xharra, e cila është palë e dëmtuar në këtë rast, shpreson se gjykimi do të përfundojë shpejt dhe drejt.

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, as që e ka ndërmend të paraqitet në gjykatë të martën. Ai nuk ka marrë kurrfarë ftese nga Gjykata Themelore e Prishtinës për fillimin e gjykimit në rastin kundër tij dhe pesë personave të tjerë. Madje Lushtaku është shprehur i befasuar se të martën do të ketë gjykim përderisa nuk e ka informuar askush.

“Jo, unë prej juve po dëgjoj që ka gjykim nesër”, tha Lushtaku të hënën për Express.

Ai nuk do të udhëtojë paradite në Prishtinë, ndonëse ka shumë dëshirë.

“Qef kisha pas me ardh me e pa Jetën (Xharrën), por nuk vij pasi nuk kam ftesë”, tha Lushtaku me ironi.

Kryetari i Skenderajt, Qani Mehmedi, Avni Azemi, Rexhep Hoti, Rizah Hajdari dhe Arizona Dibra akuzohen nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprat penale të kanosjes dhe shkeljes së statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Paralajmërimi për fillim të gjykimit është publikuar në faqen zyrtare të EULEX’it nëpërmes së cilës njoftohet se gjykimi do të fillojë më 12 mars në orën 9 e 30 dhe mbahet në kinemanë ABC (Te Qafa).

Por përveç Lushtakut as avokati i tij nuk është i informuar se do të fillojë gjykimi të martën.

“Unë nuk kam ftesë se nesër do të fillojë gjykimi”, tha avokati i Lushtakut, Arianit Koci. Sipas procedurave gjykata e ka obligim që t’u dërgojë ftesë palëve së paku tetë ditë para seancës. Po ashtu seanca caktohet kur e dinë se të gjitha palët do të jenë të pranishme në gjykim.

Një të tillë e ka marrë Jeta Xharra, e cila në këtë rast është palë e dëmtuar. Ajo tha për Express se i ka ardhur mirë që më në fund do të fillojë ky gjykim.

“Për shkak të afateve ligjore, kohët e fundit kam qenë e brengosur se pse i është dashur EULEX’it një vit që të caktojë një seancë gjyqësore (duke marrë parasysh që seanca e konfirmimit të aktakuzës është mbajtur në mars të vitit 2012!). Sidoqoftë, kjo ditë ka ardhur dhe shpresoj që gjykimi të kryhet shpejt dhe drejt”, tha Xharra për Express.

Ajo pret që të akuzuarit të marrin dënimin ashtu siç edhe e meritojnë.

“Pritjet e mia janë që njerëzit për 12 ditë me radhë përmes kërcënimeve të tyre publike më kanë kërcënuar mua dhe kolegët e mi të japin përgjegjësi dhe që të dëshmojë që ligji vlen njësoj edhe për njerëzit e pushtetit”, tha Xharra.

Gjykata me aktvendim e saj kishte vendosur që të konfirmojë aktakuzën për Sami Lushtakun, Rizah Hajdarin, Qani Mehmedin dhe Avni Azemin për veprën penale të kanosjes për të cilën, sipas Kodit Penal të Kosovës, pason dënimi 3 muaj deri në tre vjet. Ndërsa gjykata pati hedhur poshtë veprën penale të kanosjes për Arizona Dibrën dhe Rexhep Hotin.

Sa i përket akuzës për veprën penale të shpifjes, gjykata e ka hequr nga aktakuza dhe e ka ndërprerë procedurën duke lënë mundësinë që kjo vepër të ndiqet me padi private.

Gjykata ka hedhur poshtë krejtësisht veprën penale të shkeljes së statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës. Por, pas ankesës së prokurores speciale Maria Bamieh, kolegji prej tre gjykatësve nga EULEX’i në muajin qershor e kishte ndryshuar vendimin e gjykatësit të konfirmimit, ashtu që kishte konfirmuar veprën penale të shkeljes së statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës për të gjithë të pandehurit. Kolegji i gjykatësve tani konfirmonte edhe veprën penale të kanosjes edhe për Arizona Dibrën dhe Rexhep Hotin.

Prokuroria Speciale e Kosovës, përkatësisht prokurorja e EULEX’it, kishte ngritur aktakuzë me të cilën i akuzonte Sami Lushtakun, Rexhep Hotin, Arizona Dibrën, Avni Azemin, Rizah Hajdarin dhe Qani Mehmedin, se në periudhën maj-qershor 2009 kishin nisur një fushatë mediale kundër Jeta Xharrës, drejtoreshës së Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në Kosovë, duke kryer veprat penale shkelje e statusit të barabartë të banorëve të Kosovës, kanosje dhe shpifje.

Sipas aktakuzës, veprat penale ishin kryer pasi Xharra kishte udhëhequr një nga edicionet e emisionit “Jeta në Kosovë”, në RTK, në të cilin kishte paraqitur keqmenaxhimin dhe kushtet e pafavorshme në Skenderaj, ku Sami Lushtaku shërbente si kryetar i komunës.

Fushata ndaj saj ishte zbatuar përmes botimit të artikujve për 12 ditë me radhë në gazetën Infopress ku, sipas aktakuzës, ishin përhapur gënjeshtra politike ndaj Jeta Xharrës me shprehjet si “Spiune e Serbisë, bombë profesionale, jetëshkurtër etj”. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›