Sulm me thika, një i vdekur dy të lënduar

Mbrëmë rreth orës 22:30 në Mitrovicë në rrugën "Ahmet Selaci",një grup i të rinjve janë rrahur mes veti, me ç’rast një person ka ndërruar jetë dhe dy të tjerë po vazhdojnë trajtimin mjekësor.
Shkaku i rrahjes sipas zyrtarëve policor ende nuk dihet.
"Të rinjtë e moshës 18-27 vjeç, janë rrahur me mjete të ftofta, dhe se rasti është iniciuar si vrasje, një person ka ndërruar jetë dhe dy të tjere po vazhdojnë të kurohen njëri në QKUK e tjetri në spitalin e Mitrovicës" ka theksuar për Indeksonline zëdhenësi i policisë për rajonin e Mitrovices Besim Hoti.
Pas therjes me thikë, palët janë munduar të largohen nga vendi i ngjarjes me veturë ndërsa kanë shkaktuar edhe një aksident trafiku duke u përplasur në njërin nga semaforët e qytetit në udhëkryqin e rrugës “Shemsi Ahmeti”.
Rreth orës 02:10min, Policia e Kosovës, ka pranuar konfirmimin nga QKUK Prishtinë, për vdekjen e viktimës, F.M. rreth 23 vjeçar.
Së paku, një armë e ftohtë, thikë, është sekuestruar si pjesë e provave materiale, që besohet se është përdorur nga njëra palë, ndërsa do të ndiqen procedurat e mëtejme ekzaminuese laboratorike.
Trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të prokurorit publik, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion./Indeksonline/