E Shtunë, 31 Tetor 2026

M. e Transporteve kallëzim penal ndaj Ramës

Ministria e Transportve ka depozituar kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj kreut të bashkisë, Edi Rama për tokën e shitur tek parku "Rinia". Rama akuzohet për shpërdorim detyre.
Deklarata për kallëzimin penal u bë nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Sipas tij bashkia nuk ka të drejtë të shesë këtë tokë."Toka është pronë shtetërore, dhe bashkia nuk ka të drejtë të shesë", theksoi ai.

Ministri i Transporteve akuzon kreun e Bashkisë se ka shitur në mënyrë të paligjshme tokën tek "Tajvani", madje me çmim shumë të lirë. "Toka në qendër të kryeqytetit, ku ngrihet kompleksi "Tajvan", është tokë shtetërore dhe Edi Rama e ka shitur atë tek pronarët aktualë në mënyrë abuzive dhe korruptive", pati deklaruar më herët Olldashi.

Ndërkohë edhe kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi që të çojë në qeveri brenda javës së ardhshme vendimin për anulimin e shitjes së tokës te kompleksi Tajvan. Sipas tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, njëherësh edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka shkelur ligjin, duke shitur një tokë shtetërore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›