E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

MALTË – Lavrov merr pjesë në bisedimet e ministrave të Jashtëm të OSBE-së

VALETA, 5 dhjetor /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov do të marrë pjesë sot në bisedimet me ministrat e Jashtëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Maltë.

Ky është udhëtimi i parë i tij në një vend të BE-së që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock pritet të marrë pjesë gjithashtu në konferencën dyditore.

OSBE-ja është një nga forumet e pakta të dialogut për sigurinë dhe demokracinë – ku përfaqësuesit perëndimorë angazhohen drejtpërdrejt me Rusinë.

Ndërsa Moska është tërhequr nga disa institucione të tjera evropiane, ajo ka mbetur ende në OSBE, duke e parë atë si një platformë për të komunikuar qëndrimin e saj për luftën në Ukrainë, të cilën Rusia e nisi në shkurt të 2022.

Malta anuloi dje vizën e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila gjithashtu kishte planifikuar të merrte pjesë në takim, duke përmendur se asaj i ndalohej udhëtimi.

“Ndërsa ministri i Jashtëm Lavrov është subjekt i sanksioneve të BE-së, nuk ka asnjë ndalim udhëtimi kundër tij. Megjithatë, Zakharova, zëdhënësja e tij, është ndaluar të udhëtojë”, tha Ministria e Jashtme Malteze.

Malta, më herët ka bërë një përjashtim për konferencën e OSBE-së, në përputhje me të drejtat e saj si kryesuese e takimit.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›