MAS: Testimi për arkitekturën më 20 gusht, rregullat që duhet të respektojnë maturantët

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Testimi për degën e arkitekturës do të zhvillohet më 20 gusht në orën 12:00 tek Pallati i Kongreseve.
Ministria e Arsimit dhe Sportit bëri të ditur sot se hyrja e maturantëve bëhet nga ora 10:00- 12:00 në Pallatin e Kongreseve.
Në sallën e testimit, kandidati qëndron në vendin që i caktohet. Ky vend është i pandryshueshëm gjatë gjithë testimit. Mbi tavolinë kandidati vendos dokumentin e identitetit (kartë identiteti ose pasaportë). Në rast konstatimi të një personi të futur për një tjetër me dokumente identifikuese të testit, kandidati humbet përgjithmonë të drejtën për pranimi në një nga degët që ofron FAU, Universiteti Politeknik i Tiranës.
Testimi është individual. Nuk lejohet asnjë komunikim mes njëri-tjetrit. Pas dhënies së testit nuk lejohet asnjë sqarim lidhur me përmbajtjen ose me zgjidhjen e tij. Gjithçka të nevojshme kandidati do ta gjejë në test nëpërmjet formimit të pyetjeve të tij.
Përmbajtja e testit nuk duhet të kopjohet, fotografohet ose riprodhohet. Në rast konstatimi të kopjimit, kandidati humbet përgjithmonë të drejtën për pranimi në një nga degët e UPT.
Ndalohet kategorikisht të bëhen shënime ose shenja të çfarëdo natyre në fletën e përgjigjeve të testit (çelësin e përgjigjeve) ose mbi barkodin e sekretimit. Kur shënimi vlerësohet si shenjë dalluese, Komisioni i Vlerësimit e skualifikon testin.
Nuk lejohet kategorikisht përdorimi i telefonave celularë, mjeteve audiovizuale, aparateve fotografike etj. Pjesëmarrësit në konkurs nuk kanë nevojë të marrin me vete asnjë mjet për të shkruar apo vizatuar.
Largimi nga testimi lejohet vetëm, pasi të jenë kryer proceduat e verifikimit të kandidatit dhe sekretimi i dokumentacionit të tij. Kandidati që përfundon testimin detyrimisht duhet të dorëzojë testin me sekretimin bashkëngjitur dhe të nënshkruajë në një listë përkatëse.
Sipas MAS, shkelja e rregullave të mësipërme, çon në skualifikimin e kandidatit.
Asnjë aplikant tjetër nuk do të lejohet të marrë pjesë në testin e pranimit nëse nuk është regjistruar më parë dhe nuk ka emrin në listë.
/k.s//a.f/