MASH: Ja rregullat e Maturës Shtetërore 2010
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar në faqen zyrtare të saj në internet rregulloren për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2010, me afrimin e katër provimeve që do të mbyllin shkollën e mesme dhe do të hapin garën për në universitet. Kjo rregullore përcakton rregullat e zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore, institucionet shtetërore dhe strukturat arsimore përgjegjëse për këtë proces. Në rregullore janë përfshirë udhëzimet e MASH-it për procedurat e provimit të maturës dhe përgatitjet e testeve nga AVA, si edhe aplikimet për këto provime. Gjithashtu, në këtë rregullore gjenden edhe udhëzimet që përcaktojnë përzgjedhjen e mjediseve të zhvillimit të provimeve të MSH, procedurat e shpërndarjes e grumbullimit të materialeve dhe administrimit të provimeve etj. Të gjithë të interesuarit mund ta gjejnë rregulloren e Maturës Shtetërore 2010 në adresën elektronike: http://www.mash.gov.al/Rregullore_MSH_2010.pdf
NdryshimetNjë ndër ndryshimet e realizuara këtë vit lidhet me faktin se provimet me zgjedhje do të zhvillohen të përqendruara. Në shkollat ku numri i maturantëve është më i vogël ose i barabartë me 40, ato do të grupohen dhe do të caktohet një mjedis i përbashkët ku do të zhvillohen provimet. Po kështu, në nenin 17 thuhet se provimet e detyruara të maturës i jep çdo nxënës që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme dhe ka plotësuar formularin përkatës. Por çdo maturant mbetës në provimet e detyruara (D1 dhe D2) ka të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë (të vjeshtës), por nuk ka të drejtë të konkurrojë për programet e studimit në IALP. Megjithatë rezultatet e secilit provim të maturës nuk kushtëzojnë hyrjen në provimet e tjera. Përjashtim nga provimet e lëndëve me zgjedhje, sikundër edhe një vit më parë, bëjnë kandidatët që konkurrojnë në fakultetet e Akademisë së Arteve të Bukura, apo Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve. Ndërsa pesha e mesatares dhe numri i lëndëve me zgjedhje sërish këtë vit kanë mbetur të pandryshuara.
AfatetMASH-i miraton deri më datë 30 qershor Formularin A2 të personalizuar me kërkesën për notën mesatare dhe preferencën e programeve të studimit të shpallura nga IALP, si edhe udhëzuesin e plotësimit të Formularit A2. Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në IALP duhet të plotësojnë Formularin A2, brenda datës 30 korrik dhe ta dorëzojë atë në KSHMSH, pasi të jenë njohur me të gjitha rezultatet e provimeve të maturës.
Nuk lejohet që të plotësojnë Formularin A2 vetëm maturantët që rezultojnë mbetës në një nga provimet e detyruara ose me zgjedhje të maturës. Shpërndarja e Formularit A2 në DAR/ZA do të bëhet nga APRIAL-i në datën 20 korrik. Ai shpërndahet në shkolla më 21 korrik. Të rinjtë e marrin formularin A2 më 22 korrik dhe e dorëzojnë atë të plotësuar më 28 korrik. Këta formularë të plotësuar duhet të dorëzohen më tej në APRIAL, brenda datës 31 korrik 2010. Po kështu, MASH miraton deri më datë 15 shkurt: Formularin A1, A1z, (të dhënat e kandidatëve përpara vitit 2010 dhe të shtetasve shqiptarë që kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit, si dhe kërkesën e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje), tabelën e indeksit të profilit/degëve të shkollave të mesme dhe koeficientët e lëndëve me zgjedhje të propozuara nga IALP-të. Brenda kësaj date publikohet edhe udhëzuesi i plotësimit të formularit A1, A1z. Dorëzimi i tyre ka afat deri më 19 shkurt.
çdo maturant/kandidat, pavarësisht nëse jep apo jo provimet e lëndëve me zgjedhje, plotëson dhe dorëzon Formularin A1 dhe A1Z në KSHMSH të shkollës ku ai caktohet, brenda datës 10 mars.
Listat e plota me të dhënat e maturantëve dërgohen zyrtarisht në AVA, brenda datës 31 mars.
Edhe këtë vit, në rregulloren e maturës një vend të veçantë zë “betimi” i “menaxherëve” të saj se nuk kanë konflikt interesi me këtë proces. Në nenin 6 të rregullores thuhet në mënyrë eksplicite se “të gjithë pjesëmarrësit e përfshirë në detyra që lidhen me zhvillimin e procesit të Maturës Shtetërore, janë të detyruar të pranojnë, me anë të një deklarate personale, që nuk kanë fëmijë, nipër/mbesa maturantë/kandidatë që do t’u nënshtrohen provimeve të maturës në njësinë ku ushtrojnë funksione që lidhen me realizimin e provimeve të kësaj mature”.