Kushti i ri: krerët e administratës, me mastera
Qeveria mori dje një vendim, i cili detyron nëpunësit e nivelit të lartë të administratës të pajisen me diplomë të nivelit të dytë, ose master të këtij niveli. Kështu, Këshilli i Ministrave mori vendimin për të bërë një ndryshim në udhëzimin “Për strukturën e renditjes së punëve në shërbimin civil, metodologjinë përkatëse dhe përshkrimin përgjithësues të rolit të Sekretarit të Përgjithshëm në këtë shërbim”, duke shtuar vitet e shkollimit për nëpunësit. Sekretarët e Përgjithshëm të çdo institucioni shtetëror dhe drejtorët e Përgjithshëm sipas udhëzimit të ri duhet të pajisen me DND ose master të nivelit të dytë. “Nëpunësit e emëruar në pozicionet që u përkasin shkallëve 19, 21 e 22, duhet të kenë të paktën një ‘Diplomë të nivelit të dytë’ (DND), ose ‘Diplomë të integruar të nivelit të dytë’ (DIND), ose diploma të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë”, theksohet në udhëzimin e miratuar dje. Por nga ana tjetër, ky udhëzim detyron edhe drejtorët e drejtorive dhe shefat e sektorit që të kenë të njëjtin nivel arsimi.
“Nëpunës civilë të nivelit të mesëm drejtues që u përkasin shkallëve 16 e 18, duhet të kenë të paktën një ‘Diplomë të nivelit të dytë’ (DND), ose ‘Diplomë të integruar të nivelit të dytë’ (DIND), ose diploma të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë”, theksohet gjithashtu në vendim. Nga ana tjetër, specialistët të çdo lloj niveli duhet të jenë patjetër të pajisur me një diplomë të Nivelit të Parë ose me një Master të Nivelit të Parë, në mënyrë që të arrijnë të jenë pjesë e administratës sonë publike. “Nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallës 12, 10 dhe 8, duhet të kenë të paktën një ‘Diplomë të nivelit të parë’ (DNP), ose diploma të barasvlershme me këtë diplomë, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, së bashku me një diplomë ‘Master të nivelit të parë’”, sanksionon udhëzimi i Këshillit të Ministrave. Por kërkesat e shtuara të qeverisë për sa i përket arsimit të nëpunësve janë kompensuar edhe me një rritje të pagës për të gjithë ata punonjës të cilët kanë një Master të Nivelit të Dytë. Në mënyrë të herëpashershme, qeveria ka marrë masa për të rritur edhe kërkesat ndaj arsimit të administratës publike.
#