E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Niveli i gjuhës që kërkohet për masterat dhe doktoraturën

Ministria e Arsimit ka përcaktuar dy nivelet gjuhësore të anglishtes që do të duhet të përmbushin studentët për përfundimin e studimeve master dhe doktoraturë. Sipas udhëzimit “Për njohjen e testimeve dhe certifikimeve për gjuhën angleze, për programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë në institucionet e arsimit të lartë”, që MASH ka dërguar në universitetet publike të vendit, për programet e ciklit të dytë, Master Profesional do të kërkohet të arrihet Niveli B2 i anglishtes, që nënkupton kompetencë të mjaftueshme gjuhësore. Kurse për programet e ciklit të dytë, Master i Shkencave dhe për studimet e ciklit të tretë nevojitet Niveli C1-kompetencë operative e kënaqshme gjuhësore. Sipas Kuadrit të Përbashkët Europian të Referencave për Gjuhët (KPREGJ), përshkrimi i Niveli B2 është: “Mund të kuptojë idetë kryesore të një teksti kompleks mbi çështje konkrete dhe abstrakte, duke përfshirë diskutime teknike në fushën e tij/saj të specializimit. Mund të bashkëveprojë rrjedhshëm dhe spontanisht me folës vendës pa vështirësi për të dyja palët. Mund të hartojë tekst të qartë, të detajuar rreth një sërë temash si dhe të shpjegojë pikëpamjet e tij/saj për një çështje të ditës, duke parashtruar avantazhet dhe disavantazhet për opsione të ndryshme”. Ndërsa Niveli C1: “Mund të kuptojë tekste më të gjata me një shkallë më të gjerë kërkesash dhe të kuptojë thënie të tërthorta. Mund të shprehet rrjedhshëm dhe spontanisht. Mund ta përdorë gjuhën në mënyrë elastike dhe efektive për qëllime akademike, sociale dhe profesionale. Mund të hartojë një tekst të qartë, të mirëstrukturuar, të detajuar për tematika komplekse, duke mundësuar përdorim të qartë të organizimit të të menduarit dhe të të shprehurit”. Por, sipas udhëzimit të MASH, institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të përcaktojnë nivele të zotërimit të gjuhës angleze më të larta se ato minimale të përshkruara më sipër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›