MASH: Raporti i SOROS për dështimin e altertekstit dhe maturës shtetërore, trillim. Hedhim poshtë me neveri akuzat

Jovan Kristiqi
Publikimi i raportit të fundit të SOROS, ku thuhet se procesi i altertekstit dhe maturës shtetërore është i dështuar, ka nxitur reagimin e përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, që e cilësojnë trillim nga fillimi në fund çdo konkluzion të nxjerrë në këtë studim.
Jovan Kristiqi, këshilltar i ministrit të Arsimit, përgjegjës për zhvillimin e procesit të altertekstit në shkolla akuzon ashpër duke e cilësuar raportin e SOROS, si trillim fund e krye.
Trillim fund e krye, sepse përzgjedhësit e teksteve shkollore janë vetë mësuesit e shkollës që veprojnë sipas një procedure krejtësisht transparente, e shpallur në faqen e MASH në rubrikën Altertekst 2013, e njohur nga çdo drejtues shkolle, mësues, gazetar, botues apo prind nëse dëshiron. Dokumentacioni i kësaj procedure ruhet në drejtorinë e shkollës për dy vjet, ku të interesuarit kanë akses në secilën prej 2000 shkollave të Republikës së Shqipërisë në çdo moment kohe. Ky dokumentacion i përzgjedhjes së teksteve shkollore kontrollohet nga Inspektorati Kombëtar i Arsimit dhe bëhet objekt i ndjekjes penale nëse është vënë dorë mbi të, thotë Kristiqi për gazetën “Shqip”.
Ndoshta SOROS quan anonim, votimin e fshehtë?! Nuk kemi dijeni për këtë raport të SOROS që qenka zhvilluar tani, që paska pyetur mësues dhe që ata i janë përgjigjur që nuk kemi dijeni se çfarë tekstesh shkollore kanë zgjedhur për vitin e ardhshëm shkollor, kur ata vetë firmosin dokumentacionin përkatës. SOROS duhet ë guxonte të na bënte me dije qoftë edhe emrin e një shkolle të Republikës ku paska ndodhur kjo ngjarje. MASH si dhe masa e mësuesve hedh poshtë me neveri të tilla trillime që përmban i ashtuquajturi raport i SOROS, që ne nuk e disponojmë, thekson këshilltari i ministrit të Arsimit./b.l