E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH-i udhëzon ndëshkime për mësuesit kopjacë

Sipas udhëzimit të MASH-it, nëse mësuesit kapen me kopje, do të përjashtohen 2 vjet nga kualifikimet. Mësuesit: Po trajtohemi si adoleshentë
Kualifikimet
Provimet për shkallët e kualifikimit të mësuesve do të zhvillohen në masa të rrepta sigurie. Madje do të ketë masa të rënda ndëshkimore ndaj mësuesve kopjacë në provime. Kështu, rregullorja e Ministrisë së Arsimit për provimet ekualifikimit ka përcaktuar sanksione të ashpra ndaj shkelësve të rregullores. Ndërkohë, mësuesit e arsimit parauniversitar shprehen se rregullorja e MASH-it i trajton ata si nxënës në provimet e maturës shtetërore, dhe kjo nuk është aspak dinjitoze për ta. "Këto janë rregulla që do t'u shkonin për shtat adoleshentëve. Megjithatë, rregullat e MASH-it nuk tregojnë asgjë tjetër vetëm se përqendrim mbi gjëra të parëndësishme",u shprehen disa nga mësuesit e shkollave të mesme.
Provimi
Çdo gjë e përcaktuar dhe e mbikëqyrur në masa të rrepta sigurie. Kështu, në rregulloren e MASHi-t thuhet se provimi me shkrim zhvillohet në salla të përshtatshme dhe kandidatët qëndrojnë jo më pak se 2 m larg njëri-tjetrit. Madje administratorët, që nuk do të jenë të paktë në numër, do të mbikëqyrin mësuesit."Në një sallë provimi me shkrim administrojnë jo më pak se 2 vetë. Numri i kandidatëve për administrator është jo më i madh se 1 me 20 kandidatë", bëhet e ditur në rregullore, duke u shtuar se në ditën e provimit me shkrim, në godinën ku do të zhvillohet provimi, nuk do të zhvillohet asnjë veprimtari tjetër. Ndërkohë bëhet e ditur se në mjediset e provimit lejohen të hyjnë dhe të qëndrojnë vetëm përgjegjësit e administrimit të provimit, administratorët dhe personat e autorizuar nga MASH-i, si dhe Instituti i Kualifikimeve dhe Trajnimeve
Ndëshkimet
Megjithëse mësuesit në provim do të jenë të mbikëqyrur dhe në masa të rrepta sigurie, udhëzimi i MASH-it i paralajmëron ata të tregohen korrektë, pasi kopjet do t'u kushtojnë shumë atyre. "Pjesëmarrësit në provime, që kanë dhënë ose kanë marrë kopje sipas pohimit të Komisionit të Shqyrtimit të Teksteve, ndëshkohen me mosmarrje të shkallës së kualifikimit", bëhet e ditur në rregullore, duke u shtuar se mësuesit e ndëshkuar me mosmarrje të shkallës së kualifikimit, për arsye përjashtimi nga provimi ose të kopjimit, kanë të drejtë të aplikojnë për kategorinë e pretenduar jo më parë se dy vjet. Madje ndëshkimet në rast se mësuesit kopjojnë, do të bien edhe mbi administratorët dhe personat e tjerë që mbikëqyrin provimin. Sipas rregullores, drejtori i Drejtorisë së Menaxhimit të Përditshëm në MASH, drejtori i Institutit të Kualifikimeve dhe Trajnimeve, drejtori i DAR, përgjegjësi i administrimit të provimit dhe administratorët ndëshkohen me masë disiplinore nga organi i emërtesës nëse nuk zbatojnë këtë rregullore.
Provimi, ja standardet e testit
Në rregulloren e Ministrisë së Arsimit janë përcaktuar edhe standardet e provimit që do të zhvillojnë mësuesit për kualifikimet. Kështu, në bazë të rregullores, provimi nuk zgjat më shumë se 120 minuta. Ndërsa sa i takon kërkesave të testeve, do të jenë në disa forma. Provimi me shkrim, sipas rregullores, do të ketëkërkesa me zgjedhje të shumëfishtë, me pyetje me fund të mbyllur, pyetje me fund gjysmë të hapur dhe pyetje me fund të hapur ose ese. "Testet e të gjitha lëndëve, cikleve dhe profileve kanë të njëjtin numër total pikësh", bëhet e ditur në rregullore, duke u shtuar se në fletë-testin, për çdo kërkesë shënohet numri i pikëve përkatëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›