E Enjte, 5 Nëntor 2026

MEDIA – EANA në konferencën “Roli i agjencive të lajmeve në peizazhin bashkëkohor mediatik”

LISBONË, 28 maj /ATSH/ – Aleanca e Agjencive Evropiane të Lajmeve (EANA), ku Agjencia Telegrafike Shqiptare është anëtare me të drejta të plota, së bashku me agjencinë portugeze të lajmeve, LUSA, zhvilluan në Lisbonë konferencat me temë ”Roli i agjencive të lajmeve në peizazhin bashkëkohor mediatik” dhe ”Agjencitë e lajmeve që përdorin IA për Biznes dhe Gazetari”.

Në këtë konferencë, Agjencia Telegrafike Shqiptare u përfaqësua nga drejtoresha e përgjithshme, Valbona Zhupa.

Presidenti ekzekutiv i agjencisë LUSA, Joaquim Carreira, foli në fillim të konferencës pranverore të Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), ku theksoi rëndësinë e pëdorimit të IA nga agjencitë e lajmeve.

Ai shtoi se IA “është e pashmangshme” për të gjitha kompanitë dhe mbrojti nevojën për “të menduarit kritik dhe përshtatshmërinë” për t’u përballur me sfidat e reja.

”IA është e rëndësishme për të gjitha kompanitë dhe sa i përket LUSA-s ne duhet të punojmë drejt saj, pasi përdorimi i AI gjithashtu mundëson efikasitet më të madh”, shtoi ai.

“Për të përballuar zhvillimin teknologjik me të cilin po përballemi, të shënuar nga ritmi i shpejtë i ndryshimit dhe vëllimi i teknologjive të reja, ne duhet të përdorim gjithnjë e më shumë mendimin tonë kritik dhe përshtatshmërinë për të përballuar sfidat e reja”, theksoi Joaquim Carreira.

“Inteligjenca artificiale mund të sjellë përfitime të qarta për sa i përket produktivitetit më të mirë, aftësisë më të mirë për të analizuar të dhënat – këto janë dy nga aspektet kryesore”, tha ai.

Në konferencën me temë ”Roli i agjencive të lajmeve në peizazhin bashkëkohor mediatik”, organizuar nga EANA, fjalimin kryesor e mbajti themeluesi i Craft-it, Konrad Collao, ndërkohë që një fjalim të shkurtër pati edhe nga deputeti italian, Brando Benifei për Aktin e Bashkimit Evropian për Inteligjencën Artificiale.

Pjesëmarrësit në këtë konferencë theksuan se ka një transformim në mënyrën se si funksionojnë këto agjenci për t’i rezistuar ndryshimeve teknologjike dhe burimeve njerëzore.

Ata shtuan se është shumë e rëndësishme të diskutojmë, promovojmë dhe nënvizojmë rëndësinë dhe vlerën që agjencitë e lajmeve sjellin në shoqëritë tona, sa më shpesh të jetë e mundur.

Duke qenë në bazën e mbledhjes së lajmeve, agjencitë e lajmeve ndonjëherë shpërfillen dhe EANA – Aleanca Evropiane e Agjencive të Lajmeve po punon shumë për t’i nxjerrë ato në plan të parë.

Presidenti ekzekutiv i agjencisë franceze të lajmeve AFP theksoi se inteligjenca artificiale sjell shumë mundësi, por edhe rrezikun e “demokratizimit të dezinformimit”.

”Teknologjia shihet kryesisht si një mjet produktiviteti. Me fjalë të tjera, shton produktivitetin e gazetarisë sonë”, theksoi ai.

“Në AFP ne nuk prodhojmë përmbajtje me IA. Unë mendoj se është e njëjta gjë me shumicën e anëtarëve të EANA, por kjo mund të ndryshojë”, paralajmëron ai.

”Aktualisht, ne shohim shumë fake news në treg dhe shqetësimi më i madh për mua është ky mosbesim i përgjithshëm ndaj gazetarisë, sepse njerëzit nuk e dinë më se kujt mund t’i besojnë”, shtoi ai.

Stefano De Alessandri, drejtori Ekzekutiv i agjencisë italiane të lajmeve, ANSA deklaroi në një intervistë për LUSA-n se “inteligjenca artificiale po sjell një revolucion të madh për agjencitë e lajmeve, ndoshta më të madhin që nga shpikja e shtypshkronjës”./ a.jor.

1 nga 4

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›