FOKUS – Spanja njeh shtetin palestinez, ndërsa përçarja e BE-së me Izraelin zgjerohet

MADRID, 28 maj /ATSH/ – Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se qeveria spanjolle do të njohë shtetin palestinez, ndërsa përçarja e Bashkimit Evropian me Izraelin zgjerohet, shkruan AP.
Gjatë ditës së sotme edhe Irlanda do të zyrtarizojë gjithashtu njohjen e shtetit palestinez., ndërkohë që Norvegjia e bëri.
Ndërsa dhjetëra vende e kanë njohur një shtet palestinez, asnjë nga fuqitë kryesore perëndimore nuk e ka bërë këtë.
“Ky është një vendim historik që ka një objektiv të vetëm, që është të ndihmojë izraelitët dhe palestinezët të arrijnë paqen”, theksoi Sanchez.
Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, sulmoi Spanjën duke thënë se ”qeveria e Sánchez është bashkëpunëtore në nxitjen e gjenocidit kundër hebrenjve dhe krimeve të luftës”.
Marrëdhëniet BE-Izrael u përkeqësuan të hënën, në prag të njohjes diplomatike të Irlandës dhe Spanjës si anëtarë të BE-së, me Madridin që këmbëngul se ”BE duhet të ndërmarrë veprime kundër Izraelit lidhur me sulmet e tij vdekjeprurëse të vazhdueshme në qytetin Rafah, në Gazën jugore”.
Norvegjia, e cila nuk është anëtare e BE-së, por shpesh e përafron politikën e saj të jashtme me bllokun, i dorëzoi dokumentet diplomatike qeverisë palestineze gjatë fundjavës përpara njohjes zyrtare të një shteti palestinez.
Në të njëjtën kohë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, mbështeti Gjykatën Penale Ndërkombëtare, prokurori i së cilës po kërkon një urdhër arresti kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe të tjerëve, përfshirë udhëheqësit e grupit militant Hamas.
Njoftimi i përbashkët i javës së kaluar nga Spanja, Irlanda dhe Norvegjia shkaktoi një përgjigje të zemëruar nga autoritetet izraelite, të cilët thirrën ambasadorët e vendeve në Ministrinë e Jashtme në Tel Aviv./ /os/