MEKI: Godina e re e Bibliotekës Kombëtare, me zero lekë nga buxheti i shtetit

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit përmes një komunikimi me mediet, bëri të ditur se, projekti për ndërtimin e Godinës së Re të Bibliotekës Kombëtare synon krijimin e një qendre bashkëkohore të dijes dhe kërkimit shkencor, pa cenuar ndërtesën historike të BK.
MEKI sqaroi se si do të ndërtohet biblioteka e re me zero lekë nga buxheti i shtetit.
Godina e re do të zhvillohet pranë Parkut të Madh të Liqenit Artificial, në krah të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe jo në pronën shtetërore të njohur si “Vilat Gjermane”, pronë e cila do të shërbejë si sipërmarrje për të bërë të mundur ndërtimin e bibliotekës së re pa financimin nga buxheti i shtetit.
Kështu kryeqyteti do të ketë një Bibliotekë Kombëtare të denjë për standardet evropiane, e cila jo vetëm do të mbështesë zhvillimin intelektual të komunitetit, por edhe do të rrisë prestigjin e saj si një qendër kombëtare dhe rajonale e dijes.
MEKI thekson se, ky projekt realizohet përmes një modeli inovativ partneriteti publik-privat, ku Korporata e Investimeve Shqiptare do të luajë rolin e ndërmjetësuesit midis institucioneve publike dhe private, si dhe zhvilluesit.
Institucioni publik përfiton një bibliotekë të re bashkëkohore, ndërsa partnerët privatë sjellin burimet financiare, njerëzore dhe teknike për realizimin e projektit. Kjo do të bëjë të mundur ndërtimin e bibliotekës pa asnjë kosto financiare shtesë për buxhetin e shtetit.
Ndërsa prona shtetërore në zonën e ish-“Vilave Gjermane” nuk do të përdoret për ndërtimin e bibliotekës, por do të vihet në dispozicion për një zhvillim ekonomik që do të kontribuojë në financimin e projektit.
Ky projekt bën të mundur transformimin e zonës së ish-“Vilave Gjermane” në një qendër multifunksionale që do të shërbejë si një shtysë për zhvillimin ekonomik të kryeqytetit. /j.p/