Ndryshimet ligjore, Denaj: Rregullojmë procesin e regjistrimit të farave të importit

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Miratimi i projektligjit “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor” sjell përfitime të prekshme për fermerët dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se ky projektligj rregullon procesin e regjistrimit të farave të importit, lehtëson regjistrimin e varieteteve të reja të farave në Katalogun Kombëtar, ul kostot për fermerët dhe garanton fuqinë mbirëse të materialit mbjellës shumëzues bimor në treg .
“Projektligji garanton sigurinë e cilësisë së materialit mbjellës dhe shumëzues bimor për mbështetjen e prodhimit bujqësor”, theksoi ajo.
Materiali mbjellës dhe shumëzues bimor është grupi më i rëndësishëm i inputeve bujqësore dhe me një shumëllojshmëri varietetesh, kultivarësh dhe biotipesh, me ndikim të drejtpërdrejtë në prodhimtarinë e cilësinë e prodhimit. /j.p/
