E Shtunë, 31 Tetor 2026

MENDIME PER NJE FAKT TE NJOHUR

Jetësimi dhe miratimi formal i protokollit për bashkëpunimin policor mes misionit civil ndërkombëtar EULEX në Prishtinë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë është shndërruar tashmë në një fakt të njohur në Kosovë, Serbi, BE dhe më gjerë. Tanimë dihen reagimet publike, të hapura e prerazi të qarta, kundër nënshkrimit të këtij protokolli nga institucionet më të larta shtetërore të Republikës së Kosovës. Më 27 gusht, Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi, në takimin me shefin e EULEX-it, Yvev de Kermabot dhe Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë, Piter Feith, u deklaruan se institucionet e Kosovës kanë vendosur të mbyllin përgjithmonë diskutimet për nënshkrimin e një protokolli mes EULEX-it dhe Serbisë, duke e kundërshtuar me vendosmëri atë. Karakteri kategorik i kundërshtimit të nënshkrimit të këtij protokolli nga Presidenti dhe Kryeministri mishëronte e përcillte jo vetëm dëshirën e kërkesën e mbarë shqiptarëve dhe të mbi 30 shoqatave e organizatave shqiptare të Kosovës, por në radhë të parë e mbi të gjitha, demonstronte realisht e vendosmërisht para strukturave të pranishme ndërkombëtare në Kosovë ndërgjegjësimin e shumicës dërrmuese të qytetarëve për sovranitetin e institucioneve shtetërore, që kanë të drejtën dhe detyrimin për të marrë vendime vetëm në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Anashkalimi i mosmiratimit të nënshkrimit të protokollit nga instancat e larta shtetërore të Kosovës dhe zhvlerësimi me të drejtë i një proteste kundër këtij protokolli, sepse degradoi me akte dhune, mundësoi firmosjen e tij, pavarësisht qëndrimeve e dëshirave tona të deklaruara. Edhe me mosmiratimin tonë protokolli u firmos. Këtë akt e përjetuam, përgjithësisht, në mënyrë negative. Ai nuk u pranua dhe u kundërshtua në të katër anët e Kosovës nga popullsia shqiptare. U kundërshtua nga partitë politike shqiptare në Kosovë dhe nxiti organizimin e tubimit masiv paqësor në rrugët e Prishtinës, më 14 shtator, për të bërë prezente e për të demonstruar kundërshtimin popullor ndaj nënshkrimit të protokollit EULEX-Serbi.

Në të njëjtën datë (14 shtator), kur shqiptarët protestonin në Prishtinë për mosnjohjen dhe moszbatimin e protokollit, liderët serbë nga Këshilli Kombëtar Serb në Kosovë, Milan Ivanoviq, dhe Dragan Veliq, deklarohen se ky protokoll nuk pranohej nga populli serb dhe është i pazbatueshëm prej tij. Dhe, ndonëse i pari, Milani, që përfaqëson në këtë këshill kryetarin e KKS për veriun e Kosovës, duke qenë pranë vijës ndarëse kufitare Kosovë-Serbi, pra edhe pranë pikave të kalimit e të kontrollit të njerëzve e të mallrave në këtë vijë, ka "merak" e shqetësohet se do të dëmtohen interesat e qytetarëve serbë të Kosovës nga ligjërimi i një sistemi unik në praninë dhe në fuqizimin e kontrollit të një sistemi unik policor në kufirin Serbi-Kosovë.

Njëherësh me refuzimin e pranimit dhe të zbatimit të këtij protokolli nga Milani, përfaqësuesi për Kosovën Qendrore në Këshillin Kombëtar Serb, Dragan Veliq, nuk e pranon miratimin e zbatimin e protokollit për bashkëpunim policor mes EULEX-it dhe Serbisë për një arsye të ndryshme nga ai i pari. Në dallim nga Milani, që vendosi barrierë mosnjohjeje të protokollit, kontrollin mbi pikat e kalimit ndërkufitar Serbi-Kosovë, Dragani përdor si kusht për pranimin e të njëjtit protokoll arritjen e rezultateve pozitive në zvogëlimin e kriminalitetit në Kosovë dhe zbatimin e tij brenda kuadrit të Rezolutës 1244.

Pa komentuar diferencat e deklarimeve dhe arsyet e tyre po parashtroj thelbin e këtyre deklarimeve, si edhe vlerësimet e disa personaliteteve dhe figurave me peshë në Serbi për nënshkrimin e këtij protokolli. Thelbi i gjithë këtyre deklarimeve është: Nënshkrimi i protokollit të bashkëpunimit ndërkufitar mes misionit EULEX të Prishtinës dhe Beogradit, s‘ka bërë gjë tjetër veçse ka njohur pranimin e kufirit aktual mes Serbisë dhe Kosovës. Me këtë akt, që sipas tyre njeh dhe konfirmon kufirin ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë edhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, është njohur e afirmuar elementi kyç i pavarësisë dhe sovranitetit të një shteti. Këtë të vërtetë, që është evidente realisht dhe ligjërisht, detyrohet ta shprehë qartë e saktë edhe V. Koshtunica, të cilit ia njohin të gjitha qëndrimet antishqiptare. Sipas tij: "Çdo shtet që nënshkruan marrëveshje për bashkëpunimin ndërkufitar pranon zyrtarisht se territori i tij shtetëror shtrihet deri te vija kufitare dhe, në të njëjtën kohë, pranon se matanë vijës kufitare fillon territori i një shteti tjetër". Sipas Koshtunicës dhe kjo pritej prej tij, ky protokoll përbën një goditje të fortë që i jepet Serbisë dhe njëherësh përbën edhe një akt të drejtpërdrejtë të njohjes së kufijve të shtetit të pavarur të Kosovës.

Për ta mbyllur këtë shkrim, që natyrshëm është i paplotë, pa parashtruar edhe gjykimin e vlerësimin e faktorit ndërkombëtar, që ka qenë i pranishëm, veprues, investues, koherent në vazhdimësi dhe "supervizor pedant" për politikën kosovare, dua të vë në dukje se është e nevojshme dhe e vlefshme të meditojmë individualisht, në grup dhe sidomos institucionalisht për sa parashtruam.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›