E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Prokuroria mbylli edhe dosjen e prokurorit Ndoja"

Inspektorati i Pasurive thotë se rasti i fundit (i ambasadorit) është i dyti brenda një kohe të shkurtër që organi i prokurorisë pushon procedimet penale për raste flagrante të deklarimit të rremë të pasurisë, të evidentuara me prova të plota shkresore nga ana e Inspektoratit të Lartë. "Në muajin shkurt 2009, prokuroria pushoi çështjen në ngarkim të subjektit Arjan Ndoja, me funksion prokuror i rrethit gjyqësor, Durrës, i dyshuar për burim të paligjshëm në krijimin e të ardhurave në shumën 740 mijë euro gjatë një periudhe 4-vjeçare në profesionin e lirë të avokatit", thotë ILDKP. Inspektorati thotë se nuk ishte dakord me vendimin e organit të prokurorisë dhe, e ankimoi çështjen në gjykatë, e po vazhdon ta ndjekë këtë rast të dyshuar flagrant të deklarimit të rremë deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë. Por, vijon deklarata e ILDKP-së, pavarësisht se çështja në ngarkim të subjektit Ndoja ende nuk është përfunduar, Prokuroria e Përgjithshme pasi vendosi pushimin e procedimit në kundërshtim të hapur me Kodin e Etikës Administrative, e rikthen sërish këtë zyrtar në detyrën e mëparshme. Rikthimi në detyrë i subjektit Ndoja, konsiderohet nga ILDKP si një sfidë e hapur për drejtësinë, pasi ky zyrtar në të njëjtën kohë është person i gjobitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me mbi 195 milionë lekë gjobë për fshehje të detyrimeve fiskale, shumë e cila nuk është paguar prej tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›