E Diel, 1 Nëntor 2026

MEPJ reagon për deklaratën e Bardhit: Komunikimi i servirur publikut është i paqenë

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot ndaj një komunikimi që, sipas tij, i atribuohet ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Dënoj me forcën më të madhe dhe pa asnjë ekuivok deklaratën skandaloze dhe fyese të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, drejtuar shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, theksoi Bardhi në reagim.

Bardhi theksoi se, “është e papranueshme dhe e patolerueshme që një zyrtar i lartë publik t’u referohet shqiptarëve si “idiotë”. Një qëndrim i tillë e përjashton menjëherë nga çdo funksion publik dhe e bën të pamundur vijimin e ushtrimit të detyrës, qoftë edhe për një minutë më shumë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për ministrin përgjegjës për përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.

Bardhi gjithashtu kërkoi që ministri Ferit Hoxha të japë menjëherë dorëheqjen.

“Çdo vonesë është e pajustifikueshme. Kryeministri ka detyrimin politik dhe institucional ta shkarkojë pa asnjë hezitim dhe të distancohet publikisht dhe qartë nga kjo gjuhë fyese dhe e papranueshme, që të kujton retorika të errëta të së kaluarës kundër shqiptarëve. Çdo minutë më shumë në detyrë është një fyerje për shqiptarët dhe një njollë për Republikën e Shqipërisë”, theksoi Bardhi.

Pas deklaratave të bardhi ka ardhur edhe reagimi i zëdhënësit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Alteo Hysi, i cili shpreh keqardhjen për publikimet e shpërndara sot në mediet sociale, të cilat pretendojnë të paraqesin komunikime të brendshme, por që në fakt janë të pavërteta.

“Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është i paqenë. Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend”, thekson Hysi.

Hysi thekson se, “kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të Shërbimit të Jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre”.

“Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme”, përfundon Hysi.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›