E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria po humbet portin e saj kryesor dhe ndërton një port kioskë

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh sot se, porti i Durrësit do të zhduket për të ndërtuar Dubain e 1001 netëve.

Gjatë një takimi të organizuar nga Partia Demokratike dhe Departamenti “Brain Gain”, Berisha theksoi se “në mënyrë të papritur dhe jashtë çdo lloj përfytyrimi del një ditë prej ditësh Edi Rama dhe u thotë shqiptarëve se në portin e Durrësit do të ndërtojë Dubain e 1001 netëve. Do të zhduk portin e Durrësit. Do ta shtrojë në një port marine, ku do ndërtojnë në trojet publike të atij porti 12.000 apartamente, 12.600 apartamente, 6 hotele me pesë, gjashtë yje, pishina të standardeve më të larta dhe një marinë për 200 jahte.  Dhe do ndërtojë një port tjetër në Porto Romano, i cili do të ndërtohet nga privati”.

Berisha u shpreh se qytetarëve shqiptarë po ju plaçkitet pasuria publike numër një.

“Nuk kemi asnjë pasuri tjetër publike ne që të kapë vlerën e portit të Durrësit. Me trullin, me investimet e bëra, me kalatat, me të gjitha e të gjitha, ajo është pasuria publike numër një e shqiptarëve. Është më shumë se kaskada e Drinit. Dhe tani kjo asgjësohet”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se, “porti i parashikuar për t’u ndërtuar, që duhet të ishte porti i thellë i të gjithë rajonit, do të ishte vetëm 1/4 e kapacitetit të portit të Durrësit”.

“Faktikisht do të jetë Shqipëria pa port. De facto, kjo është, Shqipëria humbet portin e saj kryesor dhe ndërton një port kioskë sa 1/4 e tij”, tha Berisha .

Berisha shtoi se, shqiptarët tani duhet të paguajnë 1.2 miliardë euro për të ndërtuar një port kotec

“Tani porti i ri do të ndërtohet nga paratë publike, nga taksat e qytetarëve.  Pra, përveçse plaçkiten shqiptarët me një vlerë që shkon rreth 4 miliardë euro porti, me territorin e me të gjithë e të gjitha, duhet të paguajnë edhe 1 miliardë euro nga taksat e tyre për të ndërtuar një port kotec, një port sa 1/4 e portit ekzistues, të cilit në vitin 2013, ne e lamë projektin dhe kompanitë e mëdha të kontraktuara për ta thelluar, për ta thelluar në masën që të pranonte anije 50.000 tonshe”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se, kjo është një çështje, një rëndësie kombëtare të jashtëzakonshme.

/gj.m/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›